Lajme

Vdes Haki Rugova


Haki Rugova, Ish-kryetar i Komunes se Istogut

Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ka ndërruar jetë ish-kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova.

Rugova vdiq në moshën 65 vjeçare, pak pasi kishte filluar të gëzonte pensionimin.

Për vdekjen e anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës telegram ngushëllimi ka nisur edh vetë partia.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova”, k nisur letrën Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku.

“Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës”.

“Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës”.

Rugovën e ka kujtuar edhe paraardhësi i Abdixhikut, Isa Mustafa.

Duke postuar në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se “Hakiu i ynë” ishte “punëtori i palodhshëm, i sinqertë, i formuar e besnik”.

“Për shumë vite mori besimin e istogasve për të drejtuar komunën e tyre. Ishte në krye të degës së LDK-së dhe nënkryetar LDK-së të Kosovës. Njeri i urtë, me mendim të thellë e të peshuar që përherë kërkonte rrugë të përbashkët por edhe i mbronte parimet”, shkruan Mustafa.

Për tri mandate radhazi, Haki Rugova ishte kryetar i Komunës së Istogut, nga viti 2010 deri në vitin 2021.

Rugova ishte aktualisht kryetar i degës së LDK-së në Istog, ndërsa për shumë vite ka qenë edhe nënkryetar i LDK-së në nivel të përgjithshëm.

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të z. Haki Rugova, ish-kryetar i komunës së Istogut në disa mandate, aktivist politik i hershëm dhe kontribues në shumë procese politike në vend”, thuhet në telegramin e Presidentes Republikës së kosovës, Vjosa Osmani, dërguar familjes.

Presidentja Osmani, ka thënë se Haki Rugova ka lënë pas një veprimtari të bujshme politike.

“Ai la pas një veprimtari të bujshme politike, të njeriut të angazhuar aktivisht që nga vitet e 90-ta. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve e bashkëveprimtarëve! Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Rugova! I përhershëm qoftë kujtimi për z.Haki Rugova!”, përfundon telegram i Presidentes Osmani.

Haki Rugova është një nga djemtë e axhës së ish-Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilin u rritën në një shtëpi, pasi që këtij të fundit i kishin vrarë të atin dhe ishte rritur nga xhaxhai në fshatin Cercë të Istogut.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Pejës, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar Haki Rugovën, me një vit burg efektiv.

Rugova akuzohej për veprën penale konflikt interesi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues gjykatësi Sami Sharaxhiu, të akuzuarit Rugova, i shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën apo shërbimin publik” në kohëzgjatje prej një viti pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Haki Rugova, u akuzua nga Prokuroria Themelore e Gjakovës. Kështu aktakuza ngarkon Rugovën, se në cilësinë e personit zyrtar-kryetar i Komunës së Istogut, ka nënshkruar kontratë  për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, me kompaninë “Ma-Con” shpk, drejtor i secilës ka qenë vëllai i tij Gani Rugova.

Tutje në aktakuzë thuhet se në momentin e lidhjes së kontratës ndërmjet Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k, për kryerjen e punëve ndërtimore çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85. Më anë të këtyre veprimeve i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij Gani Rugovës, interes financiar, andaj i njëjti akuzohet se e ka kryer veprën penale të konflikt interesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore