Lajme

Vdekjet nga COVID-19 – “tri herë më të larta sesa tregojnë të dhënat”


Ilustrim

Më shumë se 18 milionë njerëz kanë vdekur nga COVID-19 dhe, sipas studiuesve, ky numër është tri herë më i lartë se sa thonë të dhënat zyrtare.

Ky raport vjen pas dy vitesh, që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli për herë të parë pandeminë.

Ekipi i vdekshmërisë së tepërt nga Coronavirusi në Universitetin e Washington-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës studioi 191 vende dhe territore për atë që ata e quajnë shifra e vërtetë e vdekjes globale.

Disa vdekje ishin nga virusi, ndërsa të tjera ishin të lidhura me infeksionin.

Kjo ndodh sepse infektimi me COVID-19 mund të përkeqësojë gjendje të tjera mjekësore para-ekzistuese, të tilla si sëmundjet e zemrës ose të mushkërive, për shembull.

Kjo quhet vdekje e tepërt – sa njerëz kanë vdekur dhe sa do të pritej të vdesin në krahasim me vitet e fundit, përpara se të godiste pandemia.

Për të llogaritur këtë, studiuesit mblodhën të dhëna, përmes kërkimeve të ndryshme qeveritare, në bazën e të dhënave të vdekshmërisë botërore, në bazën e të dhënave të vdekshmërisë njerëzore dhe në Zyrën Evropiane të Statistikave.

Shkalla e vdekjeve të tepërta vlerësohet të ketë ndryshuar në mënyrë dramatike sipas vendit dhe rajonit, por shkalla e përgjithshme globale e llogaritur në studim është 120 vdekje për 100 mijë njerëz.

Kjo do të thotë se rreth 18.2 milionë vdekje kanë ndodhur për shkak të COVID-19 në dy vitet midis fillimit të 2020 dhe fundit të 2021 – tri herë më shumë se 5.9 milionë zyrtarë që janë regjistruar në të vërtetë.

Vlerësimet e tepërta të vdekjeve janë llogaritur vetëm për periudhën e plotë të studimit dhe jo sipas javës apo muajit, për shkak të vonesave dhe mospërputhjeve në raportimin e të dhënave të vdekjes nga COVID-19 që mund të ndryshojnë në mënyrë drastike vlerësimet, theksojnë hetuesit.

Sipas hulumtimit, i cili është publikuar në “The Lancet”, normat më të larta ishin në vendet me të ardhura më të ulëta në Amerikën Latine, Evropë dhe Afrikën Sub-Sahariane.

Por vdekjet ishin gjithashtu mjaft të larta në disa vende me të ardhura të larta, si Italia, dhe disa pjesë të SHBA-ve.

Pesë vendet me shkallën më të lartë të vlerësuar të vdekjeve të tepërta, ishin: Bolivia, Bullgaria, Eswatini, Maqedonia e Veriut dhe Lesoto.

Pesë me më të ulëtat ishin: Islanda, Australia, Singapori, Zelanda e Re dhe Tajvani.

Për Mbretërinë e Bashkuar, numri i përgjithshëm i vlerësuar i vdekjeve të lidhura me Coronavirus në vitin 2020 dhe 2021 ishte i ngjashëm me të dhënat zyrtare në rreth 173 mijë.

Autori kryesor Haidong Wang, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit, tha se: “Të kuptuarit e numrit të vërtetë të vdekjeve nga pandemia është jetike për vendimmarrjen efektive të shëndetit publik”.

“Studimet nga disa vende, duke përfshirë Suedinë dhe Holandën, sugjerojnë se COVID-19 ishte shkaku i drejtpërdrejtë i shumicës së vdekjeve të tepërta, por ne aktualisht nuk kemi prova të mjaftueshme për shumicën e vendndodhjeve.

“Kërkimet e mëtejshme do të ndihmojnë për të zbuluar se sa vdekje janë shkaktuar drejtpërdrejt nga COVID-19 dhe sa kanë ndodhur si rezultat indirekt i pandemisë”.

Studiuesit parashikojnë se vdekshmëria e tepërt e lidhur me pandeminë do të bjerë, falë vaksinave dhe trajtimeve të reja.

Por ata paralajmërojnë se pandemia nuk ka përfunduar ende. Dhe variante të reja, të rrezikshme të virusit mund të shfaqen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore