Gjykata Speciale

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Këtë të marte do vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë që po mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, seanca do nis ora 9:00.

Deri më tani kanë dhënë dëshmitë katër dëshmitarë në seanca të mbyllura për publikun.

Ndërkaq muajin e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar lexoi aktakuzën e ndryshuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në po të njëjtën seancë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Dhomat e Specializuara pasi dështuan fatalisht me raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qënie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve”, me anë të pjesëmarrjes së tyre në “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera që janë marrë nga shtëpitë e të akuzuarve, që sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e tyre.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke pretenduar se UÇK-ja ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm.

Ndërkaq, prokurori tjetër, Matthew Halling, theksoi se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, i cili besonte në rezistencë paqësore kundër Serbisë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore