Gjykata Speciale

Vazhdon gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të hënën do të vazhdoj gjykimi ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në seancën e fundit dëshmitari i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë kishin dhënë dëshmi duke ju përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë.

Kurse, të enjten e 6 korrikut, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin e kishte bërë të ditur shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep përmes informimit javor për media në platformën “zoom”.

“Më 28 qershor Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë”, deklaroi Griep.

Ajo tutje kishte sqaruar se lista përmban edhe dëshmitarë rezervë.

Ndërsa, më 20 qershor, Dhomat e Specializuara të Kosovës, ua kishin vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, derisa në seancën e 3 prillit, ZPS dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore