Kosova

Vazhdojmë të jemi në Grevë


Foto nga Albanian Post

Greva e punëtorëve të sektorit publik në Kosovë do të vazhdojë, sepse as pas takimit të Këshillit Grevist me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, palët nuk kanë arritur dakordim.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist dhe figura kryesore që po udhëheqë grevën në Kosovë, ka deklaruar se ata ishin gati për një kompromis, por qeveria nuk po lëvizë nga pozicioni i saj.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor, mirëpo për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklaratat për pakon të cilat i dini (pako për 50 euro çdo muaj), ne qëndrojmë si zë i punëtorëve të sektorit publik me kërkesat tona, të cilat i dini; që të ndikojmë pozitivisht te ligji i pagave, me ligjin për shërbyesit civilë”, tha Jasharaj.

“Temë e nxehet ishte edhe pakoja, ata e kanë bërë pa diskutim me ne, por ne insistuam që kjo shuma që nuk është pranuar prej 50 euro të lëvizë, ne ishim gati të bëjmë këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, por qeveria mbeti te shuma e proklamuar”.

Gjithsesi, Jasharaj pohon se “e mira e kësaj ishte që fillojë dialogu”.

Rrahman Jasharaj para mediave, pas takimit me Kurtin

“Uroj që kryeministri Kurti edhe të tjerët mos t’i mbyllin dyert, të vazhdojnë me dialog, duke dëshiruar që gjendja të stabilizohet, besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojë dhe analizojë, sepse tash është në dorën  e tyre çfarë do të ndodhë tutje. Pra, uroj që të vazhdojë dialogu, por për momentin nuk ka arritje”.

Përkundër fillimisht të dialogut, Jasharaj tha se s’do të ketë ndalje të grevës, sepse po nuk lëvizën palët nga qëndrimet e tyre, atëherë çdo bisedë është boshe.

“Pala tjetër nuk po lëvizë nga ato që i ka deklaruar, ne po e mbrojmë anëtarësinë, ne i premtuam Kurtit që gjithë bisedën do t’ua prezantojmë anëtarësisë. Atë që e di dhe i thash edhe kryeministrit, atë 50 euro e kanë refuzuar të gjithë”.

Pas takimit Kurti nuk ka folur ende, por është njoftuar se publikut do t’i drejtohet në orën 11:00, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Albin Kurti

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore