Lajme

Varri masiv i zbuluar në qytetin e lashtë peruan


Në Peru, arkeologët kanë zbuluar eshtrat e 25 njerëzve në qytetin antik të Chan Chan.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se skeletet e tyre janë gjetur në një hapësirë ​​të vogël me përmasa 10 metra katrorë në atë që dikur ishte kryeqyteti i perandorisë Chimú.

Lidhur me Chimú, perandoria sundonte pjesë të Perusë së sotme dhe arriti kulmin e vet në shekullin e XV-të.

Atje ku u gjet varri masiv, në Chan Chan, ndodhej kështjella më e madhe e baltës në Amerikën parakolumbiane.

Referuar ekspertëve, varri masiv mund të ketë qenë një vend varrimi ku u prehën anëtarët e elitës Chimú.

Arkeologia Sinthya Cueva ka treguar se shumica e mbetjeve u përkisnin grave të reja dhe se asnjë prej tyre nuk është mbi 30 vjeç.

Nga ana tjetër, arkeologu Jorge Meneses Bartra ka thënë se nuk kishte asnjë provë që të varrosurit e sapo zbuluar të kishin vdekur si pasojë e ndonjë rituali sakrifikimi.

Megjithatë, shkencëtarët do të kryejnë teste për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tyre.

Meneses ka treguar se pozicioni i njërit prej skeleteve sugjeronte se ai ishte varrosur atje menjëherë pas vdekjes, ndërsa kockat e tjera dukeshin të zbardhura nga elementët dhe ishin të përziera së bashku.

Çka sugjeron se ishin zhvendosur në vendin e varrit më vonë.

Ndërkaq, trupat e tyre ishin të mbështjellë në një pozicion ulur në disa shtresa pëlhure, e para prej pambuku dhe e dyta me lëndë bimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore