Lajme

“Vajza Napalm” merr trajtimin përfundimtar të djegies pas 50 vjetësh


“Vajza Napalm”, Phan Thi Kim Phuc, i është nënshtruar trajtimit të fundit të lëkurës me një specialist djegieje, 50 vjet pasi fshati i saj u godit nga napalmi (lëndë që përbëhet nga kripëra të aluminit, të cilat të përziera me benzinë, kanë një superfuqi djegëse. Përdoret për bomba e flakëhedhëse).

Fotografia e saj u kthye në simbol të tmerreve të luftës së Vietnamit.

Phuc u fotografua në moshën 9-vjeçare teksa vraponte, e zhveshur dhe duke bërtitur në agoni, pasi napalmi u hodh nga një aeroplan sulmues Skyraider Vietnamese Jugore.

Nick Ut, fotografi që fiksoi imazhin në qershor 1972, e largoi atë për të gjetur trajtim mjekësor.

Ajo kaloi më shumë se një vit në spital, duke u rikuperuar nga lëndimet dhe ka jetuar me dhimbje të vazhdueshme dhe me probleme në lëvizje.

Këtë javë ajo iu nënshtrua raundit të saj të 12-të dhe të fundit të trajtimit me lazer në Institutin e Dermatologjisë dhe Laserit në Miami, raportoi “NBC 6 South Florida”, përcjell Albanian Post.

Në Miami, ajo u takua gjithashtu me Ut-in, të cilit iu dha çmimi Pulitzer për imazhin, të cilin e mori në moshën 21-vjeçare dhe të cilit ajo e vlerëson se i shpëtoi jetën.

Ajo tha se do të dëshironte që të gjithë të mund “të jetonin me dashuri, shpresë e falje dhe nëse të gjithë mund të mësojnë të jetojnë kështu, ne nuk kemi fare nevojë për luftë”.

Phuc ka përshkruar se e ka urryer fotografinë dhe se është ndjerë e shëmtuar dhe e turpëruar që është fotografuar lakuriq.

Rrobat e saj ishin bërë shkrumbë e hi. Në vitet pas sulmit, ajo kreu edhe vetëvrasje, pasi jetoi me trauma mendore dhe dhimbje torturuese fizike.

Megjithatë, në vitet 1990 u transferua në Kanada.

Në atë kohë themeloi Kim Foundation International, i cili ofron ndihmë mjekësore, përfshirë mbështetjen psikologjike, për fëmijët e prekur nga lufta.

Në një intervistë për CBC muajin e kaluar, ajo tha se, “unë nuk jam më viktimë e luftës. Unë jam një e mbijetuar. Ndihem sikur 50 vjet më parë, isha viktimë e luftës, por 50 vjet më vonë, isha një mik, një ndihmës, një nënë, një gjyshe dhe një e mbijetuar që thërrisja për paqe”.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore