Lajme

Ushqehemi “keq” kur jemi të stresuar, më shumë sheqerna dhe yndyrna


Është vërtetuar shkencërisht se stresi përfaqëson një armik të madh të mirëqenies psikofizike.

Më konkretisht, është armik i marrjes së ushqimit të shëndetshëm dhe një diete të ekuilibruar.

Siç raportohet nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë, duke cituar një studim të botuar në British Medical Journal Open në një kampion prej 5 mijë e 8 personash, në Itali gjatë bllokimit të pranverës 2020, 88.6 për qind e njerëzve mbi 16 vjeç vuanin nga stresi psikologjik.

Kurse thuajse  50 për qind vuanin nga simptomat e depresionit.

Pjesëmarrësit me simptoma të moderuara ose të rënda të depresionit konsumuan produkte qumështi, fruta dhe perime më rrallë dhe preferonin ushqime të pasura me sheqer dhe yndyrë më shpesh.

Studimet e mëparshme kanë nxjerrë se 42 për qind e individëve konsumojnë gjithnjë e më shpesh ushqime të pashëndetshme, të pasura me yndyrë dhe me sheqer të lartë gjatë kohës së stresit.

Në një hulumtim që u shfaq nëntorin e kaluar në Frontiers, studiuesit përfshinin 21 të rritur të shëndetshëm, të cilëve iu dha një vakt me yndyrë të lartë ose një vakt me pak yndyrë.

Konsumimi i ushqimeve yndyrore në kushte stresi mendor duket se redukton funksionin endotelial me 1.74 për qind, duke e ekspozuar një person ndaj një rreziku më të madh të ngjarjeve kardiovaskulare.

“Në të kaluarën, endoteli konsiderohej një shtresë e thjeshtë njëqelizore e murit të enëve të gjakut që ndante gjakun qarkullues nga muri vaskular”, shpjegon Roberto Pedretti, profesor i asociuar i sëmundjeve kardiovaskulare në Universitetin e Milanos.

“Në realitet, qelizat endoteliale kryejnë funksione të rëndësishme, aq sa endoteli tani konsiderohet një organ i vërtetë me një rol kyç në rregullimin e tonit dhe strukturës vaskulare. Nëse funksionon mirë, prodhon substanca të shumta dhe është në gjendje të frenojë ose aktivizojë mekanizma të ndryshëm funksionalë, si grumbullimi i trombociteve, me një veprim domethënës në gjenezën e proceseve trombotike dhe lezioneve aterosklerotike”.

Për këtë arsye, sipas profesorit – një ndryshim i funksionit endotelial jo vetëm që mund të modifikojë tonin e enëve të gjakut, por gjithashtu të luajë një rol të rëndësishëm në origjinën e dëmtimit vaskular dhe rrjedhimisht të ngjarjeve kardiovaskulare.

“Pa harruar se të dhënat epidemiologjike tregojnë se si stresi kronik, pra stresi i zgjatur dhe i vazhdueshëm, parashikon fillimin e sëmundjes koronare të zemrës”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore