Kosova

Ursula von der Leyen: “Marrëveshja e targave Kosovë-Serbi tregues se mund të gjejmë zgjidhje”


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha në samitin e Sllovenisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet këtë të mërkurë në Brdo të Sllovenisë, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për targa është tregues se mes dy vendeve mund të gjendet një zgjidhje.

“Bisedimet dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë për targat, të ndërmjetësuara nga BE, tregojnë se kemi mundësi të gjejmë zgjidhje. Ishte një ujdi shumë e mirë mes dy vendeve. Duhet të vijojmë punën në këto linja”, ka deklaruar von der Leyen.

Me 30 shtator të këtij viti, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se është arritur një marrëveshje për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi një marrëveshje. Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalimin e situatës në veri është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, kishte shkruar Lajçak, në Twitter.

Pika e parë e marrëveshjes është implementuar gjatë ditës së shtune pas largimit të Njësitit Speciale të Kosovës nga dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, për t’u lënë vend forcave të KFOR-it që do të qëndrojnë për 12 ditët e ardhshme.

Ndërsa gjatë ditës së hënë në pikat kufitare ka nisur zbatimi i regjimit të stikersave të përkohshme. Kjo masë është pika e dytë e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore