Lajme

Ursula von der Leyen i tregoi Kurtit në telefon – saktësisht – cilat masa ekonomike i vendos BE Kosovës nëse nuk lëvizet me de-përshkallëzim


Bisedën me presidenten e komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “të përzemërt e të sinqertë”, derisa Von der Leyen, njoftoi se përmes telefonit i ka sqaruar Kurtit “nevojën urgjente për de-eskalim”.

Por, Albanian Post nga burime diplomatike në Bruksel, ka kuptuar se telefonata e politikanes gjermane kishte të bënte ekskluzivisht me njoftimin Kurtit se cilat do të jenë masat shtrënguese konkrete nëse nuk de-përshkallëzohet situata sipas propozimit perëndimor – lirimi i objekteve komunale nga kryetarët dhe vendosja e tyre në objekte alternative në Veri, largimi i Njësiteve Speciale të Policisë nga objektet dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.

AP kupton nga i njëjti burim se Von der Leyen i ka kumtuar Kurtit se cilat do jenë saktësisht masat ekonomike që do të ndërmerren nga BE-ja, që kryesisht kanë të bëjnë me programe të asistencës financiare nga Unioni.

“Ky ka qenë qëllimi i bisedës, njoftimi me masat ekonomike nëse nuk lëvizet urgjentisht drejt de-esklaimit me hapa konkretë sipas planit të propozuar nga BE-ja”, ka deklaruar burimi.

Ishte shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që të hënën fillimisht tregoi se ka pajtim nga shtetet anëtare të BE-së për masat dhe se ato do jenë politike dhe ekonomike, kurse në një paraqitje këtë të martë shtoi se “shtetet anëtare po e humbin durimin”.

Ndërsa Von der Leyen në cicërimën e saj njoftuese në Twitter tregoi që ka folur me Kurtin dhe se më vonë do të flas me Vuçiç-in për t’iu treguar të dyve se “ka nevojë urgjente për de-eskalim dhe rikthim në procesin dialogues të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim marrëdhëniesh”.

Çka mund të jenë masat ekonomike të BE-së për Kosovën?

Albin Kurti e Ursula von der Leyen kur ishin takuar gjate vizites se kesaj te fundit ne Prishtine me 29 shtator, 2022.

Shumat më të mëdha të parave në formë direkte që Kosova merr si ndihmë nga BE-ja janë ato që jepen përmes Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit, të njohura si IPA.

Bëhet fjalë për para që kanë tejkaluar 1 miliardë e 300 milionë euro të dhëna në kohëra të ndryshme për gjatë viteve.

E fundit ishte në muajin mars të këtij viti, kur ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i dorëzoi Kosovës Marrëveshjen Financiare të 16-të me radhë në mes të BE-së e Kosovës e dhënë pikërisht nën programin IPA.

Kjo marrëveshje e fundit kishte vlerë prej 62 milionë euro dhe ishte pjesë e IPA III. Shuma prej 62 milionësh rrumbullakësonte vlerën e përgjithshme të asistencës direkte financiare prej 1.3 miliardëve.

Kjo e bën BE-në donatorin më të madh financiar sa u përket parave direkte në Kosovë.

Shuma e pranuar në mars ishte e dyta për këtë vit, meqë një tjetër ndihmë financiare ishte ajo e shkurtit, kur BE-ja ndau 75 milionë euro për Kosovën brenda paktit për Mbështetje për Energji për Ballkanin Perëndimor, që të ndihmonte qytetarët me çmimin energjisë dhe të përmirësonte efiçiencën energjetike në Kosovë.

BE-ja ka filluar me këtë formë direkte të financimit. përmes IPA-s, në vitin 2007.

IPA I dhe IPA II kanë mbuluar periudhat nga 2007 deri në 2020, duke përfshirë 14 marrëveshje për ndihmë financiare. Fondet nga IPA III parashohin mbulimin e periudhës 2021 deri 2027.

Fushat në të cilën fokusohen mjetet e ndara përmes IPA-s janë “demokracia dhe qeverisja”, “rendi dhe ligji dhe të drejtat”, “energjia”, inovacioni”, “edukimi, punësimi dhe politikat sociale”, “bujqësia dhe zhvillimi rural, “bashkëpunimi territorial dhe rajonal”.

IPA është program që ndihmon me mjete financiare direkte. Por BE-ja ka edhe programe dhe forma të tjera të investimeve që i derdh në Kosovë.

Përveç humbjes së milionave, për anëtaren e Grupit Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), Donika Emini, kjo masë do ta shkëpusë Kosovën nga vendet e rajonit për sa i përket zhvillimit socio-ekonomik.

“Vendet e rajonit do të përfitojnë nga pjesa e fondeve të cilat nga Kosova kanë shumë potencial të kalohen tek vendet e tjera ashtu siç ka ndodhur me rastin e Turqisë”, pati thënë ajo për Albanian Post, kur ishte pyetur se çka saktësisht nënkupton masë ekonomike e BE-së në raport me Kosovën.

Ekskluzive: Sanksionet mund të fillojnë sot – “nëse s’ka reflektim, Kurti izolohet”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore