Lajme

Uria e Gjermanisë për qymyr dënon një fshat të vogël


Aktivistë të guximshëm mjedisorë kanë bërë fushatë me muaj në një fshat të vogël bujqësor në Gjermaninë perëndimore me shpresën se edhe të tjerët do të ndihmonin në ndalimin e zgjerimit të një miniere qymyrguri.

Ata kishin arsye për të qenë optimistë.

Protestat masive bënë që qeveria gjermane të ndërhynte dhe të shpëtonte një pyll të vjetër nga zgjerimi i minierës vetëm dy vjet më parë.

Partia e Gjelbër shënoi paraqitjen e saj më të mirë ndonjëherë në zgjedhjet e vitit të kaluar, një shenjë se si lufta kundër ndryshimeve klimatike ishte bërë një çështje politike në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Nëse do të ishin 50 mijë vetë në rrugë, politikanët do të duhej të bënin diçka”, ka thënë fermeri 58-vjeçar Eckardt Heukamp.

Por rritja e shpresuar e protestuesve nuk u realizua kurrë.

Javën e kaluar, qeveria vulosi në mënyrë efektive fatin e Lützerath duke njoftuar se RWE, kompania më e madhe energjetike e Gjermanisë, kishte nevojë për qymyrin për të kompensuar gazin që kishte ndaluar të rrjedhë nga Rusia.

Tani për tani, lufta në Ukrainë dhe perspektiva e afërt e një dimri pa karburant të lirë rus, ka ftohur entuziazmin në Gjermani për politika më të gjelbra.

Për një komb që është zotuar të heqë dorë nga qymyri deri në vitin 2030, kjo ka qenë një tërheqje e papritur dhe njëherazi e vështirë.

Robert Habeck, ministri gjerman i Ekonomisë,  ka thënë se kjo është një lëvizje e dhimbshme, duke i referuar cilësisë së dobët të qymyrit në fshat. Por ka pranuar se është e nevojshme.

Rusia dikur furnizonte më shumë se gjysmën e importeve të gazit të Gjermanisë, një burim kryesor i karburantit për ngrohje.

Pasi pushtimi rus shkaktoi një reaksion zinxhir të sanksioneve evropiane dhe kundërmasave ruse, rrjedha u mbyll.

Që nga fillimi i luftës, qeveria gjermane e dinte se do t’i duhej të përpiqej për karburant për të kaluar dimrin e ardhshëm.

Habeck ka njoftuar në qershor rihapjen e disa fabrikave të qymyrit.

Kur thatësira e kësaj vere solli shqetësimet e energjisë duke ngadalësuar transportin e qymyrit në lumenj, qeveria u dha përparësi trenave të ngarkesave që transportonin qymyr dhe lëndë djegëse të tjera mbi ato të pasagjerëve.

E megjithatë ka pasur pak reagime publike.

Paçka se dhjetëra mijëra aktivistë të klimës marshuan në qytete në të gjithë Gjermaninë në fund të shtatorit, ata i përqendruan kërkesat kryesisht në çështje si drejtësia klimatike për vendet në zhvillim dhe transporti publik i aksesueshëm.

Në to mungonte fundi i qymyrit.

Gjermania, që nga fillimi i krizës, ka parë një rritje gati pesë për qind të energjisë elektrike të prodhuar nga qymyri. Qymyri aktualisht përbën gati një të tretën e të gjithë energjisë elektrike të prodhuar atje.

Pjesa më e madhe e atij qymyri vjen nga vende si miniera Garzweiler pranë Lützerath, e cila është në pronësi të RWE dhe ku disa nga makineritë më të mëdha të gërmimit në botë punojnë vazhdimisht në gropën e madhe prej 12 miljesh katrorë.

Për dekada, banorët e komuniteteve si Lützerath e kanë pranuar pashmangshmërinë e minierave të qymyrit, duke përfshirë një kërkesë ligjore për të lëvizur dhe për të hapur rrugën kur qeveritë shtetërore lidhnin marrëveshje me kompani energjetike si RWE.

Prej kësaj, rreth 300 fshatra gjermanë janë rrafshuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por aktivistët kishin shpresuar të vendosnin kufirin në Lützerath, dikur një fshat me rreth 90 banorë, dhe ta bënin luftën për ta shpëtuar atë një kauzë të famshme.

Edhe sikur të dështonin, dukej se ai mund të ishte fshati i fundit gjerman që do të rrafshohej nga minierat e qymyrit.

Shumë aktivistë të klimës pranojnë se Gjermania do të duhet të përdorë më shumë të ashtuquajturin qymyr “të fortë” këtë dimër. Por ata këmbëngulin se kjo nuk justifikon prishjen e Lützerath.

Në fakt, llogaritjet nga ekspertët e energjisë në gusht kanë sugjeruar se qymyri nën Lützerath nuk është i nevojshëm edhe me një rritje afatshkurtër të kërkesës këtë dimër.

Megjithatë, për zyrtarët çdo rritje në emetimet e qymyrit do të kompensohet nga fakti se RWE ka rënë dakord me afatin 2030 për t’i dhënë fund përdorimit të qymyrit.

Protestuesit në Lützerath janë të lodhur nga përpjekjet e tyre, por planifikojnë ta vazhdojnë luftën.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore