Kosova

UNMIK-u kërkon nga Kurti dhe Vuçiç të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog


Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Caroline Ziadeh, përmes një komunikate për media një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut në Bruksel, u ka bërë thirrje të gjitha palëve “të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të mbajnë integritetin e procesit të dialogut.”

Ziadeh më tej ka bërë të ditur se në këtë mes është e rëndësishme që të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirëfilltë

“Palët duhet të punojnë me mirëbesim për të adresuar çështje e pazgjidhura, duke kapitalizuar angazhimin e 11 viteve të fundit dhe duke siguruar që të ndërtohet mbi të arriturat me mund në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Ziadeh.

Dialogu dhe kompromisi sipas saj janë rruga e vetme e qëndrueshme drejt stabilitetit dhe prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë.

Caroline Ziadeh

Në takimin e radhës, të akorduar me 18 gusht (fiks një muaj pas datës origjinale të takimit) në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, përveç të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky takim vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Kosova provoi të aplikoi reciprocitet me Serbinë sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë, por që u tërhoq me kërkesë të ndërkombëtarëve, duke pranuar propozimin e Borell për një muaj shtyrje të vendimit.

Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiç-it kishte ndodhur në darkën jo formale me 5 maj në Berlin dhe ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.

Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç, veç e veç, ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Darka ishte një mundësi për dy liderët për të shkëmbyer pikëpamje rreth Dialogut në një mjedis joformal”, pati thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Albanian Post, pyetur rreth përmbajtjes së takimit të mbajtur në Berlin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore