Sport

United-i gjen zëvendësuesin e Pogba-s në Madrid


Manchester United dhe mesfushori, Paul Pogba duket se do të ndahen në fundin e sezonit. Bordi i Djajve të Kuq ka piketuar zëvendësuesin e francezit dhe bëhet fjalë për mesfushorin e Real Madrid-it, Federico Valverde-n.

Pogba ka që nga 2016 në Manchester, por nuk duket i bindur për të qëndruar përtej këtij sezoni. Real-i është një nga destinacionet e mundshme për të ardhmen e mesfushorit dhe një transferim i tillë, mund të thjeshtëzonte kalimin e Valverde-s te United-i.

Uruguajani 22-vjeçar, në 2016 u transferua te Real-i nga ekipi i Penarol-it dhe në 2018 debutoi me ekipin e parë. Që nga ajo kohë numëron 89 paraqitje me Los Blancos, ku ka shënuar pesë gola dhe gjashtë asiste.

Në total me galaktikët ka fituar një trofe të La Ligës. një Superkupë të Spanjës dhe një Botëror të Klubeve.

Aktualisht vlera në tregun e transferimeve e uruguajanit, sipas Transfermarket-it është rreth 70 milionë euro, ndërsa ka kontratë deri në 2025 me klubin madrilen. Edhe vlera e Pogba-s në tregun e transferimeve është pothuajse njellojë, me 5 milionë euro më pak, por kontrata me United-in i përfundon në verën e 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore