Lajme

“Ulje të pagës për 4 muaj” – dënimi që shqiptoi KGJK-ja për dy gjyqtaret të cilat u takuan me Vuçiç’in


Nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë

Dy gjyqtaret e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijeviç dhe Dragica Jakovjeviç, do të ndëshkohen me një dënim simbolik, pasi që të dyja ishin pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Një vendim i tillë është marrë nga Këshilli i Gjyqësor i Kosovës, i cili ka vendosur uljen e pagës prej 30 për qind për 4 muaj rresht për gjyqtaret në fjalë me akuzën se kanë shkelur masën disiplinore.

“Për panelin hetimor ka qenë e pakontestueshme se subjektet e hetimit me këtë rast Tatijana Virijeviç dhe Dragica Jakovljeviç, kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin e datës 22.03.2022, me ftesë të presidentit te Republikës së Serbisë”, thuhet në këtë vendim.

Tutje, sipas arsyetimit të këtij vendimi thuhet se prezent kanë qenë dhe përfaqësues të tjerë politik, duke vlerësuar se ky takim ka qenë i natyrës politike pasi që në atë kohë kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Gjithashtu, pjesëmarrëse në takim me Vuçiqin ka qenë edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, për të cilën po ashtu ishte iniciuar procedurë disiplinore dhe e njëjta ishte suspenduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore