Lajme

Ukraina pretendon se gjenerali rus u vra në betejë


Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se një gjeneral rus – gjeneralmajor Vitaly Gerasimov – u vra në një betejë pranë Kharkiv.

Deklarata e shkurtër të hënën nuk ofroi asnjë provë për vdekjen e Gerasimov dhe nuk dha detaje se kur u vra.

Media shtetërore ruse nuk tha asgjë të martën për Gerasimov, megjithëse përmendi edhe rusë të tjerë të vrarë në Ukrainë.

Ministria Ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të “CNN” në lidhje me Gerasimov të martën.

Ukraina e identifikoi Gerasimov-in si “një komandant ushtarak rus, gjeneral-major, shef shtabi dhe zëvendës-komandant i parë i Ushtrisë së 41-të të Qarkut Ushtarak Qendror të Rusisë” dhe tha se ai ishte një veteran i fushatave ruse në Çeçeni dhe Siri.

“Një numër oficerësh të lartë të ushtrisë ruse u vranë dhe u plagosën gjithashtu”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës.

Ministria gjithashtu aludoi në deklaratën e saj për problemet e komunikimit, me të cilat thotë se ushtria ruse po përballet.

Christo Grozev, drejtor ekzekutiv i gazetës hetimore me burim të hapur Bellingcat, detajoi në një postim në Twitter se informacioni për vdekjen e gjeneralit mund të jetë marrë nga një përgjim i një telefonate në një rrjet të pasigurt.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore