Lajme

Udhëheqësi i Bavarisë refuzon ta shkarkojë Hubert Aiwanger për broshurën naziste


Udhëheqësi i Bavarisë ka thënë se nuk do ta shkarkojë zëvendësin e tij, pavarësisht një grindjeje për një fletëpalosje antisemite, të cilën ai pranoi se e kishte mbajtur në çantën e shkollës kur ishte adoleshent.

Markus Söder ka thënë se nuk do të ishte proporcional shkarkimi i Hubert Aiwanger, një veprim që do të kishte përmbysur koalicionin qeverisës në shtetin jugor gjashtë javë përpara zgjedhjeve rajonale.

Aiwanger, udhëheqësi i Votuesve të Lirë populistë, i cili është partneri i vogël i koalicionit i CSU-së konservatore të Söder-it, është përballur me ditë polemikash mbi pamfletet naziste të gjetura në çantën e tij të shkollës në fund të viteve 1980.

Söder ka thënë në një konferencë për shtyp se ai nuk e kishte marrë vendimin lehtë.Dhe se kishte ndjekur një proces të qëllimshëm që ishte i drejtë dhe i rregullt.

Aiwanger kishte bërë gabime të rënda në rininë e tij, por ai ishte distancuar në mënyrë të besueshme prej tyre dhe kishte kërkuar falje, sipas Söder.

Po ashtu nuk kishte ndonjë provë që Aiwanger kishte krijuar apo shpërndarë fletëpalosjen.

Sakaq, vëllai i Aiwanger ka pretenduar që atëherë të jetë autori.

Dokumenti propozonte një kuiz satirik mbi “tradhtarin më të madh të atdheut” dhe ofronte një çmim për “një udhëtim falas nëpër oxhak në Aushvic”.

Söder e kritikoi atë që nuk kërkoi falje më herët dhe ka thënë se duhej të tregonte pendim.

Gjithashtu ka shtuar se përgjigjet me shkrim të Aiwanger për një listë prej 25 pyetjesh të bëra nga qeveria nuk ishin të gjitha të kënaqshme.

“Prandaj këshilla ime serioze dhe me qëllime të mira: Edhe nëse e gjithë kjo është shumë kohë më parë, është e rëndësishme të tregosh keqardhje dhe përulësi”, ka thënë ai.

Aiwanger sakaq, ka treguar se ai kishte qenë viktimë e një fushate shpifjeje që kishte dështuar.

Fletëpalosja doli në dritë pas një hetimi nga gazeta Süddeutsche Zeitung.

Vëllai i madh i Aiwanger ndërhyri për të thënë se ai kishte qenë autori i fletushkave menjëherë pas publikimit.

Aiwanger ishte nën presionin e qeverisë kombëtare për të marrë një vendim të shpejtë dhe për të vënë në vijë këtë çështje.

Ndërkohë, vendimi për të mos shkarkuar Aiwanger i lejon Söder-it të mbajë të paprekur qeverinë e tij të koalicionit të vitit 2018 përpara zgjedhjeve rajonale të 8 tetorit, për të cilat votimi me postë tashmë ka filluar.

Sondazhet e fundit tregojnë mbështetjen për Söder në 39%, duke i dhënë atij një epërsi të rehatshme.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore