Lajme

U takuan me Vuçiç-in, KGjK-ja propozon shkarkimin e kryetares së Gjykatës e shefit të Divizionit të Apelit në Mitrovicë


Ilustrim

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas portalit të lajmeve “Betimi për Drejtësi” i cili ekskluzivisht raporton mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë, në takimin e mbajtur më 28 korrik të këtij viti ka marrë vendim që t’i propozojë presidentes së Kosovës shkarkimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviç dhe udhëheqësit të Divizionit të Gjykatës së Apelin në Mitrovicë, Nikolla Kabashiç.

Stevanoviç e Kabashiç vitin e kaluar morën pjesë në mbledhjen e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, prandaj KGjK-ja e ka cilësuar si shkelje të rëndë disiplinore, për të cilën arsye ka marrë vendim që t’i propozojë për shkarkim.

“Betimi për Drejtësi” duke u thirrur në burime në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe Gjykatën e Apelit raporton se aktualisht rasti është në procedurë ankimore.

Në rast se këto vendime konfirmohen, KGjK do t’i propozojë Presidentes që të njëjtit t’i lirojë nga detyra.

Vendimi i KGjK-së mund të ankimohet në Gjykatën Supreme derisa i njëjti mund të hyjë në fuqi nëse askush prej palëve nuk parashtron ankesë.

Stevanoviç dhe Kabashiç kishin marrë pjesë në protestat e Listës Serb, të cilat ishin organizuar për të kundërshtuar vendimin e institucioneve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç.

Të njëjtit ishin pjesëmarrës edhe në mbledhjen e sigurisë kombëtare të Serbisë i organizuar një vit më parë nga presidenti, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore