Lajme

U krijua për luftën në Bosnjë, ukrainasit përfitojnë status special në Zvicër


Zvicra është e gatshme t’u japë ukrainasve që u larguan nga vendi i tyre për shkak të luftës një status special “S”, i cili nuk është ofruar më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Swiss Info”.

I ashtuquajturi “status S”, u zhvillua në mesin e viteve 1990 si përgjigje ndaj luftës në Bosnjë.

Ky mekanizëm u zhvillua për të pritur refugjatët shpejt, duke anashkaluar procedurat e gjata burokratike.

Në kohën e miratimit përfundimtar të këtij mekanizmi në qershor të vitit 1999, luftërat në ish-Jugosllavi kishin përfunduar dhe mekanizmi nuk është vënë kurrë në praktikë.

Statusi “S” mund të zbatohet për ukrainasit si dhe shtetasit e vendeve të treta që kishin një leje qëndrimi të përhershme në Ukrainë.

Kjo, para fillimit të luftës në shkallë të gjerë.

Statusi nuk mund t’u jepet personave që kanë marrë tashmë mbrojtje në një vend të BE-së.

Ky status jep të drejtën e qëndrimit në Zvicër për një vit, me mundësi vazhdimi për aq kohë sa zgjat lufta.

Sigurimi i tij jep mundësinë që menjëherë emigrantët të kërkojnë punë, dhe fëmijët – të shkojnë në shkollë.

Është planifikuar gjithashtu mbështetje financiare deri në 1 mijë e 600 dollarë për person në muaj.

Në pesë vjet, ata që nuk janë ende në gjendje të kthehen në vendin e tyre mund të marrin një leje qëndrimi të përhershme.

Mediat vendase raportojnë sakaq se 11 mijë ukrainas kanë mbërritur në Zvicër që nga fillimi i luftës.

Qeveria federale ka thënë se vendi është gati të pranojë deri në 60 mijë njerëz.

Por autoritetet kantonale janë ngarkuar të përgatiten për skenarin më të keq, me deri në 300 mijë ukrainas që pritet të mbërrijnë në Zvicër deri në fund të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore