Aplikacione

Twitter-i padit Musk-un, kërkon respektimin e marrëveshjes


Twitter-i i ka kërkuar një gjykate në Delaware që ta detyrojë Elon Musk-un të respektojë marrëveshjen prej 44 miliardë dollarësh për të blerë kompaninë.

Kjo i hap rrugën një beteje ligjore midis sipërmarrësit miliarder dhe platformës së mediave sociale.

Kompania e ka ngritur padinë në gjykatën e Delaware, vetëm disa ditë pasi Musk njoftoi se planifikonte të përfundonte marrëveshjen.

E gjitha pasi ka pretenduar se Twitter-i kishte shkelur marrëveshjen duke mos ndarë informacione të mjaftueshme për llogaritë e rreme.

Kurse për avokatët e kompanisë, pretendimet e Musk-ut ishin “pretekste dhe nuk kishin asnjë meritë”.

Ata kanë argumentuar se shefi ekzekutiv i Tesla-s po përpiqej të tërhiqej nga marrëveshja në vend që të “mbante koston” e prishjes në aksionet e teknologjisë.

“Pasi organizoi një spektakël publik për të vënë në lojë Twitter-in dhe pasi propozoi dhe nënshkroi një marrëveshje bashkimi miqësore me shitësin, Musk me sa duket beson se ai është i lirë të ndryshojë mendje”, shkruhet në ankesën e tyre.

Po ashtu ata e akuzojnë atë për një listë të gjatë të shkeljeve materiale kontraktuale që kanë zbehur Twitter-in dhe biznesin e tij, duke përfshirë pezullimin e marrëveshjes, shkeljen e detyrimeve financiare dhe keqpërdorimin e informacionit konfidencial.

Sakaq, lëvizja nis një luftë të rrëmujshme ligjore midis Twitter-it dhe një prej përdoruesve të tij më pjellorë dhe më të fuqishëm. Avokatët e kompanisë i kanë kërkuar gjykatës të përshpejtojë një gjyq për muajin shtator.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore