Lajme

Turqia i mbyll hapësirën ajrore avionëve rusë drejt Sirisë


Turqia ka marrë një vendim për të mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët ushtarakë dhe civilë rusë, të cilët i drejtohen Sirisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

“Ne i kemi dhenë leje fluturimi në intervale tremujorë dhe i fundit zgjaste deri në prill”, tha kryediplomati turk për mediat gjatë një fluturimi drejt Amerikës Latine.

Ndër të tjera, ai theksoi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka lajmëruar homologun rus, Vladimir Putin që më parë mbi këtë detaj dhe fluturimet ruse kanë ndaluar”.

Sipas tij, gjithë bisedimet po zhvillohen në bazë të konventës së Montreux dhe ka dialog të vazhdueshëm mbi situatën.

Sa i përket fluturimeve të tjerë nga Rusia për në Turqi, përfshi oligarkët e Moskës, Çavusoglu ka thënë se Ankaraja nuk ka ndërmend momentalisht të marrë pjesë në sanksionet e vendosura.

“Nëse kompanitë duan të bëjnë biznes, ato duhet thjesht t’i kryejnë të gjitha procedurat sipas ligjeve ndërkombëtare”, theksoi ai.

Teksa, mbi negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë për të zgjidhur konfliktin, i cili po vijon në luftë mes dy vendeve, ministri turk tha se “ka një tekst në punim e sipër” dhe se diplomacia po punon. Mirëpo, prej kohësh, që prej takimit të fundit të delegacioneve të dy shteteve në Turqi nën bekimin e Erdogan, nuk është dëgjuar më shumë sa i përket negociatave.

Pavarësisht kësaj, ai është optimist mbi procesin dhe ka theksuar se duhet të ketë një vendim përfundimtar mes Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore