Lajme

Jerusalem, besimtarët mblidhen në turma për ceremoninë e Zjarrit të Shenjtë


Të krishterët ortodoksë u dyndën në Kishën e Varrit të Shenjtë të Jerusalemit, të shtunën e 1 majit, për të festuar ceremoninë e Zjarrit të Shenjtë. Për shkak të lehtësimit të kufizimeve, ata janë mbledhur në një numër shumë më të madh se vitin e kaluar.

Ceremonia e Zjarrit të Shenjtë, që simbolizon ringjalljen e Jezusit, është një nga spektaklet më të gjalla të sezonit ortodoks të Pashkëve, ku zakonisht marrin pjesë shumë pelegrinë.

Pushimet fetare të këtij sezoni në Tokën e Shenjtë, shtëpi e vendeve fetare të shenjta për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët, janë lënë në hije nga tragjedia e 30 prillit.

Izraeli po vajton për vdekjen e 45 adhuruesve hebrenj, të cilët u vranë gjatë një dyndjeje brenda natës midis të enjtes dhe të premtes në një festival fetar në veri të vendit.

Me Jerusalemin nën lockdown, ceremonia e Zjarrit të Shenjtë të vitit të kaluar u mbajt në kishën gati të zbrazët, që nderohet nga të krishterët si vendi i kryqëzimit, varrosjes dhe ringjalljes së Jezuit.

“Vitin e kaluar ishte një vit i trishtuar”, tha Rosaline Manees, një pelegrin nga Jaffa, i cili ishte në mesin e 400 adhuruesve të mbledhur në kishë.

“Ky vit është më i mirë, megjithëse jo si vitet e tjera, pasi pelegrinët nga e gjithë bota nuk po vizitojnë vendin. Sot jemi vetëm ne që jetojmë këtu. Por, sigurisht, është më mirë se vitin e kaluar”.

Ecuria e shpejtë e vaksinimit në Izrael ka gjunjëzuar kryesisht pandeminë në muajt e fundit, duke lejuar që kufizimet në tubime të lehtësohen shumë. Kjo, ndërsa zyrtarët planifikojnë një rinisje të turizmit ndërkombëtar në muajt e ardhshëm.

Ceremonia e Zjarrit të Shenjtë tërheq dhjetëra mijëra adhurues në një edikul imponues gri në Varrin e Shenjtë, ku besohet se gjendet varri ku u vendos Jezusi 2 mijë vite më parë.

Rrezet e diellit, të cilat depërtojnë nëpër një dritë prej xhami në kupolën e kishës, besohet nga adhuruesit të ndezin një flakë thellë brenda kriptës, një akt misterioz i konsideruar si një mrekulli e së Shtunës së Shenjtë çdo vit përpara të Dielës Ortodokse të Pashkëve.

Patriarku Ortodoks Grek i Jerusalemit pastaj ndez një qiri me Zjarrin e Shenjtë dhe ua shpërndan besimtarëve.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore