Lajme

Trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën që vendimi për dinarin të pezullohet, shkak i “moskomunikimit të institucioneve”


Flamuri i Kosovës dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Me gjithë trysninë ndërkombëtare, Kosova më 1 shkurt e filloi zbatimin e rregullores e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), kanë bërë thirrje të vazhdueshme që ky vendim të shtyhet pasi që i njëjti është bërë pa konsultim dhe pa përgatitje.

Njohës të rrethanave politike po e shohin këtë veprim të ndërkombëtarëve si pasojë e moskomunikimit nga institucionet e Kosovës, për zbatimin e këtij vendimi, me ta.

“Sa i përket presionit të ndërkombëtarëve, kjo ka të bëjë më shumë me mënyrën e komunikimit dhe mënyrën e saj të zbatimit për një periudhë kaq të shkurt. Pra, ky është shqetësimi i partnerëve ndërkombëtarë, jo përse është marrë vendimi”, thotë politologu Dritëro Arifi.

Ai tutje thotë se edhe dialogu është në një fazë “të ndjeshme”.

Sipas tij, mund të ketë probleme të reja që shfaqen nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, për largimin e dinarit.

Banka Qendrore e Kosovës.

“Presioni ndërkombëtar, ka të bëjë po ashtu për një çështje për të cilën ata mendojnë që mund ta devijojë fazën në të cilën gjendet dialogu, mund të ketë problem dhe shqetësime veçanërisht tek komuniteti serbë dhe për këtë edhe po përmendet çështja e tensionimit të situatës”.

Arifi, konsideron se tashmë pushteti ka bërë një tërheqje, sa i përket ndalimit të dinarit në transaksione financiare dhe përdorimit të kësaj valute në shit-blerje.

“Qeveria e Kosovës, po vërehet që ka një tërheqje të vogël, por taktike dhe strategjike”.

“Në kuptimin e asaj, që do të ketë kohë të mjaftueshme që t’i shpjegohet edhe qytetarëve në Veri dhe në pjesët e tjera ata që përdorin dinarin që për një periudhë tranzitore sa mund të zgjas dhe si do të implementimet e kështu me radhë”, shton ai.

“Vendimi të mos anashkalohet në asnjë formë” 

Ndërsa, sipas profesorit universitar të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderit, në asnjë formë ky vendim nuk duhet të anashkalohet.

Kjo pasi që sipas tij veprimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Në asnjë formë nuk duhet shmangur ky vendim. Përkundër insistimeve dhe presionit ndërkombëtarë që u bëhet institucioneve të Kosovës për moszbatim të këtij vendimi apo shtyrje për një kohë tranzitore, siç po rekomandojnë”, thotë Skenderi për AP.

​Ai shton se nga ndërkombëtarët ishte vepruar ngjashëm edhe në rastet e tjera që kishte pasur Kosova me Serbinë.

“Serbia në të gjitha aspektet është duke i shpallur luftë Kosovës, vetëm e vetëm që ta dobësoj shtetësinë e shtetit të Kosovës dhe më pas BE-ja të gjitha këto i vendos në tryezën e bisedimeve në Bruksel”.

“Por, këto janë punë të brendshme të Kosovës, siç ishte çështja e targave, pagesa e rrymës së konsumuar nga serbët në Veri të Kosovës, tash shmangia e dinarit serb si valutë në tregun e Kosovës e shumë çështje të tjera”.

Profesori universitar njëherësh edhe njohës i çështjeve ndërkombëtare, Dorajet Imeri, në një përgjigje për Albanian Post thotë se dinari në Kosovë, është larguar që nga viti 2002.

Ai e konsideron “ironi”, faktin se akoma diskutohet për këtë çështje.

“Në marsin e 2002-ës, Bashkësia Ndërkombëtare e atëhershme përkatësisht UNMIK-u dhe institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, kanë filluar të zbatojnë dhe ta përdorin vetëm një monedhë që është EURO”.

Imeri, pohon se është humbje kohe që të diskutohet për një çështje që sipas tij, është zgjidhur në të kaluarën.

“Vetë fakti që Kosova, e ka larguar në atë kohë tregon për orientimet e sakta që ka pasur Bashkësia Ndërkombëtare dhe UNMIK-u. 22 vite më pas që të diskutohet edhe më tej çështja se a duhet të jetë dinari apo jo, më duket që është një kthim prapa”, thotë Imeri për Albanian Post.

Kërkesa e SHBA-ve dhe BE-së

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që vendimi për kufizimin e dinarit të shtyhet, kjo pasi që i njëjti është bërë pa konsultim dhe pa përgatitje.

Një kërkesë e tillë, sipas tyre po bëhet derisa të ketë procedura që janë “të kënaqshme” dhe në përputhje me “standardet evropiane”.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare”.

“Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të DASH-it.

DASH, është shprehur i zhgënjyer me këto plane pasi që se kanë të qartë se çfarë problemi urgjent synon ta zgjidhë kjo rregullore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi  shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

Edhe BE-ja kërkoi nga Kosova të enjten të garantojë një “periudhë mjaft të gjatë tranzitore” për zbatimin e rregullores së ndryshuar të BQK-së, ngase sipas 27 shteteve anëtare të bllokut, implementimi i menjëhershëm rrezikon të ndërlikojë jetën e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në vend, veçanërisht të serbëve për shkak të “moskonsultave paraprake”.

Flamuri i Bashkimit Evropian dhe flamuri i Kosovës.

“BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në reagimin e BE-së.

Deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë të shkurtër para gazetarëve të enjten, derisa komentoi kërkesën e Bashkimit Evropian (BE) për të siguruar një “periudhë mjaft të gjatë tranzitore” për çështjen e dinarit serb, tha se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.

“BQK-ja është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit; sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur – kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund  të negociohen nga politikanët”, deklaroi ai.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se për zbatimin e vendimit që valutë e vetme në Kosovë të jetë vetëm euro duhet të gjendet një “zgjidhje praktike” në mënyrë që Kushtetuta e Kosovës, të zbatohet në çdo cep të Republikës.

Kjo zgjidhje sipas saj mund të marrë kohë një muaj.

“Deri në momentin e zbatimit mund të merr përafërsisht një muaj. Do të ketë një dakordim këto dy ditë, do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë se zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër por për këtë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri”.

Qeveria e Kosovës.

Ajo sqaroi se janë duke u diskutuar disa opsione për zbatimin e këtij vendimi.

“Banka Qendrore e Kosovës, ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë siç edhe kërkohet nga ky institucion”.

“Ndërsa, sa i përket zbatimit në praktik të këtyre parimeve janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do të thotë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetueses, por në anën tjetër do t’u lihet një kohë qytetarëve për bartjen e mjeteve të tyre në llogari të reja”, ka thënë Osmani.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb.

Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë ose nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore