Shqipëria

Trupi i OKB-së i kërkon Shqipërisë të hetojë rastet e abuzimit të fëmijëve në qendrat e paraburgimit


Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve (CRC) publikoi të enjten gjetjet e tij për Shqipërinë, pas shqyrtimit të shteteve palë gjatë sesionit të tij të fundit.

CRC-ja i kërkon autoriteteve shqiptare që të hetojnë menjëherë të gjitha rastet e abuzimit në qendrat e kujdesit rezidencial dhe të paraburgimit.

Gjetjet përmbanin shqetësimet dhe rekomandimet kryesore të Komitetit për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe aspekte pozitive.

Komiteti ishte seriozisht i shqetësuar për torturën dhe trajtimin çnjerëzor dhe degradues të fëmijëve nga zyrtarët publikë dhe policia në qendrat e kujdesit rezidencial dhe të paraburgimit, vërejnë gjetjet e trupit të ekspertëve të OKB-së.

“Komiteti i kërkoi Shqipërisë që të hetojë menjëherë të gjitha rastet e abuzimit në qendrat e kujdesit rezidencial dhe të paraburgimit. Ai gjithashtu i kërkoi shtetit palë të sigurojë që autorët, duke përfshirë zyrtarët publikë dhe policinë, të ndiqen penalisht dhe të sanksionohen dhe që viktimave t’u jepen dëmshpërblime”, theksoi CRC-ja.

Komiteti shprehu po ashtu shqetësim të thellë se “një e treta e popullsisë së fëmijëve në Shqipëri jeton në varfëri”.

Ndër të tjera, trupi i OKB-së theksoi se shërbimet e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes dhe mirëqenies në vend janë të pafinancuara dhe se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ka mungesë të personelit.

“CRC-ja i bëri thirrje Shqipërisë të rishikojë modelin e saj të mbrojtjes sociale dhe të marrë në konsideratë përafrimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit në lidhje me shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen sociale, të rrisë alokimet buxhetore për fëmijët në sektorin shëndetësor dhe social dhe të sigurojë akses në shërbime sociale cilësore të bazuara në komunitet”, vijojnë gjetje e raportuara.

Komiteti i OKB-së gjithashtu vuri në pikëpyetje mungesën e njohjes së duhur, raportimin e ulët dhe hetimin e pamjaftueshëm të dhunës ndaj dhe abuzimit të fëmijëve, duke përfshirë abuzimin në internet dhe ndëshkimin trupor, veçanërisht në lidhje me grupet minoritare.

Shqipëria “jashtë standardeve” për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore