Lajme

Trump mendon se Bin Laden nuk ka qenë aq i keq


Në SHBA po afron 20-vjetori i sulmit terrorist ndaj dy kullave binjake, ku thuajse 3 mijë persona humbën jetën dhe mbi 25 mijë të tjerë u plagosën.

Mirëpo në sferën politike, parë edhe situatën e fundit në Afganistan, shumë personalitete kanë filluar të japin mendimet e komentet e tyre mbi terrorizmin.

Ndër ta, është edhe ish-Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili në një intervistë radiofonike për Hugh Hewitt, ka thënë se ish-kreu i organizatës terroriste al-Qaeda, Osama Bin Laden, nuk ka qenë edhe aq i keq.

“Ne hoqëm qafe themeluesin e ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi”, ka thënë Trump në emision. “Më pas, sigurisht, edhe gjeneralin iranian Qassem Soleimani. Thjesht që ta kuptoni, Soleimani është një emër shumë më i madh se sa Osama bin Laden”.

Sipas Trump, edhe emri i al-Baghdadid është shumë më i rëndësishëm se sa ai i Bin Laden.

Mbi këtë të fundit, ish-presidenti ka komentuar se “ishte veç një goditje, një shumë e keqe, në New York, por aq”.

Ndërsa dy të tjerët, për Trump, ishin monstra.

“E kam thënë prej vitesh. Pse nuk flet shtypi për ta? Nuk flasin sepse nuk i leverdis të shkruajnë për ta”, vijoi retorikën e tij Trump.

Pavarësisht këtyre komenteve nga Trump, politologë të shumtë mendojnë se ai është thjesht xheloz. Kjo, për faktin se ishte paraardhësi i tij, Barack Obama, ai i cili e udhëhoqi sulmin dhe vrasjen e Bin Laden.

Ndërsa, vrasja e Soleimanit dhe al-Baghdadid, u kryen nën presidencën e tij.

Përtej kësaj, Bin Laden njihet si një ndër terroristët më të rrezikshëm që historia ka parë. Sulmet e 11 shtatorit 2001 në kullat binjake, kanë shënjuar historinë e dy dekadave të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore