Lajme

Trump fut në listën e zezë Xiaomi-n


Administrata Trump ka vendosur kompaninë kineze Xiaomi në listën e zezë të kompanive që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së identifikoi Xiaomi-n si një nga nëntë kompanitë me lidhje të pretenduara me ushtrinë kineze.

Financat e kompanisë elektronike kineze, e themeluar në 2010 kanë pësuar goditje pas këtij vendimi.

Lei Jun, shefi ekzekutiv i cili bashkë-themeloi Xiaomi-n, pësoi një humbj prej gati tre miliardë dollarësh.

Lin Bin, nënkryetari i kompanisë, pësoi humbje prej 1.5 miliardë dollarësh së bashku me pesë prej aksionerëve kryesorë të kompanisë.

Aksionet e Xiaomi-t pësuan rënie me 10%. Kjo situatë vjen në një moment ku SHBA-ja po godet kompanitë e mëdha kineze të sektorit të teknologjisë.

Xiaomi po kalonte një periudhë me fitime të larta në tregje. Kompania me bazë në Pekin tejkaloi shitjet e smartphone-ve të kompanisë Apple  në tremujorin e tretë.

Xiaomi mori gjithashtu konsumatorë nga kompania Huawei, e cila u dëmtua nga sanksionet e SHBA-së.

Aksionet e Xiaomi-t u mbyllën në shifra rekord javën e kaluar.

Në dhjetor, vlera e tregut e firmës tejkaloi shifrën prej 100 miliardë dollarësh.

Sulmi i fundit nga administrata e Trump i ktheu aksionet e kompanisë përsëri nën nivelin e arritur së fundmi.

Lëvizja befasoi investitorët sepse sanksionet e mëparshme përqendroheshin në kompanitë kineze me lidhje ushtarake dhe vlerë strategjike për rritjen e industrisë së teknologjisë.

Xiaomi ndërkohë ka deklaruar se nuk është në pronësi apo e kontrolluar nga shteti kinez për synime ushtarake dhe strategjike.

Lei, i cili zotëron më shumë se një të katërtën e Xiaomi-t, tani vlen 28.2 miliardë dollarë, nga 33.2 miliardë dollarë kur aksionet arritën kulmin javën e kaluar.

Ai e filloi vitin si manjati i katërt më i pasur i teknologjisë në Kinë, menjëherë pas Jack Ma-s, pasuria e të cilit ka humbur rreth dhjetë miliardë dollarë.

Financat e Jack Ma-së dhe kompanisë së tij pësuan goditje në fund të tetorit pas vendimeve për hetime nga qeveria kineze.

Kina e ka quajtur qëndrimin agresiv të administratës Trump si një kërcënim. Qeveria kineze këtë muaj vendosi ​​rregulla të reja për të mbrojtur firmat e saj nga ligjet e huaja “të pajustifikuara”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore