Libra

“Tri sëmundjet e modernitetit”


“Këtu dua të shkruaj për disa nga sëmundjet e modernitetit. Me këtë nënkuptoj disa karakteristika të kulturës bashkëkohore dhe shoqërisë, që njerëzit i përjetojnë si humbje ose rënie, edhe pse shoqëritë tona janë duke u ‘zhvilluar’”, ka shkruar Charles Taylor, Etika e Autenticitetit.

Profesori dhe filozofi kanadez Charles Taylor në veprën e tij “Etika e Autenticitetit”, qysh në fillim identifikon tri sëmundje të modernitetit.

E para ka të bëjë me humbjen e kuptimit më të gjerë të jetës dhe zbehjes së horizonteve morale.

E dyta me zbehjen e qëllimeve, në instrumentalizimin ose mjet-izimin e njerëzimit nga arsyeja instrumentale.

Dhe e treta është humbja e lirisë politike në shoqëritë e strukturuara në institucione tekno-industriale.

Në rend të parë, Taylor-i e identifikon individualizmin si botëkuptim shoqëror dhe politik, i cili ka bërë që njerëzit të absorbohen në vetët e tyre egoiste, në shkëputjen nga lidhjet më të gjera shoqërore, me kuptime më të larta njerëzore dhe marrëdhënieve përtej vetes që pasurojnë jetën, dhe është krijuar një model narcicist i individualitetit.

Një ide e ekzagjeruar që thekson sovranitetin individual dhe lirisë nga format e jashtme të influencës, në favor të një lirie individuale të pakufizuar.

Në rend të dytë, në atë që Taylor e quan “çmagjepsja e botës”, është krijuar arsyeja instrumentale. “Me arsye instrumentale nënkuptoj atë lloj racionaliteti që e përdorim kur duam të nxjerrim kalkulimet më ekonomike në aplikimet e mjeteve për arritjen e qëllimeve”, shkruan Taylor.

Me këtë Taylor shpjegon se çmagjepsja e botës ka bërë që gjërat të llogariten për benefitet që mund të sjellin, për maksimizim të output-it, të instrumentalizohen për t’i shërbyer interesit të pastër njerëzor.

Së fundmi, ajo që Taylor konsideron se është sëmundja e tretë e modernitetit, që mbërthen këta të dyja parapraket në nivelin shoqëror dhe politik, është humbja e lirisë.

Ai i referohet “despotizmit të butë” të Alexis de Toucqeville, jo në kuptimin e despotizmin të dhunshëm e terorrizues të së kaluarës, por një qeverie të butë dhe paternaliste. Gjë që atomizmi individualist ja lejon asaj të bëhet një qeveri tutelare, duke u minimizuar pjesëmarrjen qytetare aktive në politikbërje.

Qytetari duke u izoluar në lëvozhgat e tij atomiste e individualiste, mbetet vetëm nën forcat e mëdha burokratike-administrative, dhe është plotësisht i pafuqishëm.

“Ajo që na kërcënohet është humbja e dinjitetit qytetar. Mekanizmat impersonale që janë përmendur, na i reduktojnë nivelet e lirisë si shoqëri, por humbja e lirisë politike do të nënkuptonte që edhe zgjedhjet që na mbeten nuk i bëjmë më ne si qytetarë, por nga pushtete të papërgjegjshme kujdestarie”, shkruan Charles Taylor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore