Lajme

Treshja Poloni-Lituani-Ukrainë, kërkesë BE-së për sanksione më të forta ndaj Rusisë


Qeveria e Polonisë dhe ajo e Lituanisë i janë bashkuar Ukrainës në thirrjen drejtuar Bashkimit Evropian (BE) për të vendosur sanksione të forta perëndimore kundër Moskës.

Kjo pas ngritjes së supozuar të trupave ruse pranë kufirit ukrainas, që ka nxitur frikën e pushtimit.

Presidenti polak, Andrzej Duda, ai lituanez, Gitanas Nauseda, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, zhvilluan takimin e parë trepalësh presidencial të aleancës së sigurisë “Trekëndëshi i Lublinit” në Huta, në malet Karpate të Ukrainës Perëndimore.

Duda dhe Nauseda u mblodhën për të treguar mbështetjen e tyre përballë asaj që përshkruhet si “agresion të vazhdueshëm kundër Ukrainës”.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë njoftuar se Rusia ka grumbulluar 70 mijë trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe i frikësohen një pushtimi të mundshëm, në fillim të vitit të ardhshëm.

Por, qeveria në Moskë ka mohuar çdo synim për të sulmuar, ndërsa ka kërkuar që NATO të mohojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike, si dhe të zhbëjë dislokimet ushtarake të aleancës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Nauseda tha se grumbullimi është kërcënim për të gjithë rajonin dhe përpjekjet e Rusisë për të rikrijuar zonat e ndikimit nuk do të tolerohen.

“NATO sigurisht që duhet të përgjigjet jo vetëm me mobilizimin dhe përqendrimin e aftësive në krahun lindor të NATO-s, por edhe me planet e saj për forcimin e mbrojtjes”, shtoi ai.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit, të tre liderët u bënë thirrje udhëheqësve të tjerë ndërkombëtarë që të rrisin sanksionet kundër Rusisë.

“Detyra jonë e përbashkët është të pengojmë kërcënimin e paraqitur nga Rusia dhe të mbrojmë Evropën nga politikat agresive të Rusisë”, tha Zelenskyy. “Ukraina, Polonia dhe Lituania janë pararoja e kësaj parandalimi sot”.

Udhëheqësi ukrainas bëri thirrje për “veprime të fuqishme parandaluese, sanksione të fuqishme serioze për të përjashtuar çdo mendim për përshkallëzim”.

Presidenti rus Vladimir Putin ngriti kërkesën për garanci sigurie në video-telefonën e javës së kaluar me presidentin amerikan Joe Biden, i cili paralajmëroi se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” nëse Moska sulmon fqinjin e saj.

Diplomatët rusë kanë thënë se Moskës do t’i duhet të rrisë paraprakisht nëse kërkesat e saj refuzohen.

Marrë nga Euronews, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore