Shqipëria

Tre vite nga vdekja e dy Dëshmorëve të Atdheut në Letoni


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka kujtuar në trevjetorin e vdekjes së dy Dëshmorëve të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, teksa ishin me mision në kuadër të NATO-s në Letoni.

Ministri Peleshi u shpreh se përkushtimi dhe sakrifica e dy Dëshmorëve “është shembulli i vështirësive dhe rrezikut që përballen ushtarakët shqiptarë në detyrat brenda dhe jashtë vendit”.

Tri vite më parë, major Tanushi dhe nëntetar Hasanaj ranë në krye të detyrës në një angazhim dhe mision, “i cili sot tre vite më pas, rezultoi të jetë sa i drejtë aq edhe i domosdoshëm”, deklaroi ministri.

Major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zerife Hasanaj kanë qenë pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “Enhanced Forward Presence” në Letoni dhe humbën jetën, gjatë kryerjes së detyrave luftarake.

Vdekja e tyre erdhi si pasojë e një shpërthimi të një mine në kampin “Adazi” të Letonisë.

Nëntetarja Zarife Hasanaj humbi jetën menjëherë në vendngjarje më datë 6 maj 2019, ndërsa Klodian Tanushi u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital, pa u rezistuar dot plagëve të marra nga shpërthimi i eksplozivit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore