Bota

Transgjinorët amerikanë do të lejohen të jenë pjesë e ushtrisë


Transgjinorët amerikanë do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e ushtrisë, falë ndryshimeve që Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet t’i bëjë ligjit për ndalimin e tyre në ushtri.

Zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, deklaroi se presidenti do të nxjerrë një urdhër ekzekutiv mbi çështjen. Kjo pritet të ndodhë në ditët në vijim.

Ligji i mëparshëm, është propozuar nga ish-presidenti, Donald Trump, në korrik të vitit 2017. Sipas këtij ligji, ndalohet që një kategori transgjinorësh të aplikojë për të qenë pjesë e ushtrisë. Kjo, për shkak të një komplikimi gjenetik që mund të kenë që në lindje, i cili quhet disforia gjinore.

Ky komplikim, sipas ligjit, e bën të pamundur ushtrimin e detyrës së ushtarakut. Gjithsesi, kompetenca të kufizuara mund të ushtroheshin prej kësaj kategorie.

Transgjinorët pa këtë kusht gjenetik të lindur, ishin gjithashtu të diskriminuar nga ligji. Ata mund të aplikonin për të qenë pjesë e ushtrisë, por me kushtin që të shërbenin nën gjininë që kishin të lindur. Pra, nëse një transgjinore vajzë kishte lindur djalë, atëherë ajo duhet të deklarohej si e seksit mashkull.

Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ, u alarmuan së tepërmi nga lajmi në atë kohë. Që prej hyrjes në fuqi të ligjit, është kërkuar të rrëzohet dhe t’i hapet rrugë rekrutimit në ushtri.

Janë hedhur shqetësime edhe përsa i përket ndikimit që kjo lëvizje do të ketë në buxhet. Pavarësisht zërave se dëmi do të jetë i madh, ekspertët kanë deklaruar se shuma e shpenzuar do të jetë e papërfillshme./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore