Sport

Trajneri Hallaçi mesazh për tifozët e Kukësit


Kukësi po kalon një moment jo fort të mirë në Superligë këtë sezon. Largimi i Skendër Gegës e tregoi më së miri se diçka nuk po shkon siç duhet me verilindorët. Pas 13 javësh kampionat, kuksianët kanë marrë pesë fitore, dy barazime dhe gjashtë humbje, duke u renditur të gjashtët me 17 pikë, e me një golavarazh minus tre gola.

Ecuria e tillë ka sjellë dhe një reagim të trajnerit aktual të Kukësit, Rrahman Hallaçit, në drejtim të tifozëve të klubit.

Në median sociale të klubit të Kukësit shkruhet:

“Dëshiroj të ndaj një mesazh të shkurtër me tifozët kuksianë. E di që këto nuk janë rezultatet për të cilat kemi punuar të gjithë së bashku ndaj jam i zhgënjyer po aq sa jeni dhe ju, si kuksian, ish-kapiten dhe aktualisht trajner i Kukësit.

Dhimbjen po e ndiejmë njësoj si ju, për këtë ju garantoj. Skuadrën e kam marrë dy herë në gjendje të rënduar psikologjike, ky është fakt. Herën e parë ia dola dhe nuk do të dorëzohem as herën e dytë.

Bashkë me stafin teknik, me drejtuesit, me lojtarët dhe mbi të gjitha me ju tifozët kuksian, të bashkuar më shumë se kurrë, në këtë moment të vështirë do ta kalojmë dhe këtë moment krize që mund t’i ndodhë çdo skuadre.

E kisha për detyrë dhe e ndieja në shpirt e zemër këtë mesazh ta ndaja me ju tifozët e Kukësit. Edhe një herë tjetër, ndjesë për rezultatet negative- Rraman Hallaçi”/ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore