Sport

Trajnerët që mund ta marrin vendin e Spalletti-t te Napoli


Me Luciano Spalletti-in që la të kuptohet se do të largohet nga Napoli, fituesit e titullit kampion kanë nevojë për një trajner të ri dhe opsionet e sugjeruara përfshijnë Julian Nagelsmann, Gian Piero Gasperini, Rafa Benitez, Vincenzo Italiano, Antonio Conte dhe Roberto De Zerbi.

Edhe pse ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, komentet si nga Spalletti ashtu edhe nga presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, gjatë ditëve të fundit e bëjnë të qartë se tekniku italian do të largohet në fund të sezonit.

Tani De Laurentiis duhet të gjejë një zëvendësues dhe ai ka disa rrugë të ndryshme, duke përfshirë një shëtitje për të rikthyer Benitez-in në “Stadio Maradona”.

Benitez është një nga trajnerët e paktë që u largua duke pasur ende një raport të mirë me presidentin, i cili dihet se është i durueshëm dhe ka merita për suksesin.

“La Gazzetta dello Sport” sugjeron që Gasperini do të ishte një lëvizje e mirë nëse vendos të largohet nga Atalanta, por kjo duket e pamundur duke marrë parasysh rolin e tij të gjatë në Bergamo.

De Zerbi mund të jetë një nga zgjedhjet ideale, por ai tashmë po kalon aventurë të mirë me Brighton-in në Premier Leauge, të cilët i kualifikoi për herë të parë në historië në garat evropiane.

E njëjta gjë vlen edhe për Italiano-n, i cili e ka çuar Fiorentina-n në finalen e Ligës së Konferencës në këtë sezon dhe është e vështirë të mendohet se ai do të ndahet nga klubi tani.

Ekzistojnë gjithashtu kandidatë më prestigjiozë aktualisht pa punë, si Antonio Conte, por vështirë që De Laurentiis t’i përmbushë kërkesat ekonomike të ish-trajneri të Tottenham-it.

Një emër intrigues i përmendur në mediat italiane është Nagelsmann, i cili u shkarkua nga Bayern Munich në mars, vendim që gjigantët e Bundesliga-s kanë filluar të pendohen shumë, pasi që titulli kampion në Gjermani duket se do të humbet.

Vetëm 35 vjeç, Nagelsmann kishte eksperienca në Hoffenheim dhe RB Leipzig përpara se të bashkohej me Bayern Munich në 2021.

Mbetet të shihet se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i Napolit, pasi që Spalletti me shumë gjasë do të largohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore