Auto

Toyota dhe Honda pezullojnë prodhimin


Toyota Motor Corp dhe Honda Motor Co, prodhues japonezë të automjeteve, kanë pezulluar përkohësisht prodhimin në fabrikat e tyre në Malajzi për shkak të një bllokimi në të gjithë vendin nga coronavirus-i.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se lëvizja e kompanive erdhi pas një njoftimi të kryeministrit malajzian, Muhyiddin Yassin, për një “bllokim total” nga data një deri në 14 qershor në një përpjekje për të përballuar një rritje të fundit të infektimeve.

Gjatë vitit të kaluar, Toyota ka prodhuar rreth 51 ijë automjete në Malajzi dhe sipas zëdhënësit, kompania do të pezullojë shitjet dhe prodhimin dhe se ende nuk është vendosur se kur ato do të rinisin.

Zëdhënësi  ka shtuar se bashkë me të edhe një filial i Toyota-s i quajtur Daihatsu Motor, i cili prodhon makina kompakte, do të ndalojë prodhimin mes një dhe 14 qershorit. Dhe ky filial ka bërë afro 220 mijë automjete në 2020-ën.

Kompania tjetër, Honda, do të mbyllë përkohësisht dy impiante gjatë bllokimit. Një zëdhënës i prodhuesit të automjeteve ka thënë se këto impiante, të cilat prodhojnë 100 mijë makina dhe 300 mijë motoçikleta çdo vit, pritet të rrisin prodhimin nga 15 qershori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore