Lajme

Torturë dhe shkelma në kokë, dalin fotot që dokumentojnë dhunën ndaj Elena Milashina-s


Fotografitë e reja nga gjendja e Elena Milashina-s, gazetares ruse që u rrah dhe u torturua në Çeçeni, janë të frikshme.

Novaya Gazeta, gazeta për të cilën punon ajo,  tanimë i ka publikuar.

Ato u shkrepën nga fotoreporterja Anna Artemyeva dhe janë një dokumentim i tmerrshëm se çfarë janë sot Rusia dhe Çeçenia.

Sulmi ndaj Elena Milashina-s dhe avokatit të të drejtave civile Alexander Nemov ndodhi më 4 korrik në Çeçeni.

Një grup prej rreth dhjetë burrash me fytyra të mbuluara i sulmuan ata në zonën e aeroportit.

Banditët ndaluan makinën me të cilën udhëtuan nga aeroporti për në Grozny, i rrahën (me një shkop që duket identik me atë të përdorur nga forcat speciale çeçene) dhe ua shkatërruan pajisjet dhe dokumentet.

Milashina u diagnostikua me dëmtim të mbyllur kraniocerebral, 14 fraktura të gishtave dhe kontuzione të shumta të indeve të buta.

Milashina dhe Nemov ishin rrugës për në një takim për rastin e Zarema Musayeva-s, një nënë që po gjykohet fajtore se ishte nëna e një kundërshtari politik të regjimit çeçen dhe rus.

Por dje ndodhi një tjetër gjë e pabesueshme.

Teksa po dilnin këto foto, kreu i Drejtorisë Hetimore të Komitetit Hetimor të Federatës Ruse për Republikën Çeçene, Volkov, i raportoi kryetarit të Komitetit rus të Hetimeve që, pas inspektimit të urdhëruar nga autoritetet për sulmin, po hap një çështje penale.

Për “dëmtim të lehtë të shëndetit me dashje” dhe “dëmtime të vogla ose të moderuara”.

Por Milashina ka treguar se ata e detyruan të hante papastërti teksa ishte shtrirë me fytyrën poshtë, e rrahën vazhdimisht me tuba polipropileni dhe tentuan t’i thyejnë gishtat kur ajo nuk pranoi të zhbllokonte telefonin.

“Ata dinin ta bënin dhe dinin të qëndronin brenda kufijve të caktuar përtej të cilave nuk mund të kalonin”.

Prof.esionistë që dinin të iknin edhe nga hetimi për dëme “të vogla”.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i Vladimir Putin-it, një njeri i njohur për sigurimin, ka siguruar se “po punohet”, se “po ndërmerren veprime” dhe ka sugjeruar të pritet.

Në këtë pikë, ministri çeçen i shtypit Akhmed Dudayev ishte më i hapur, duke akuzuar shërbimet sekrete perëndimore për torturimin e gazetares dhe avokatit.

Sipas tij, në fotografi duket “karakteristika e bukur e dorës së shërbimeve të inteligjencës perëndimore”.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Gazetarja ruse Elena Milashina dhe një avokat sulmohen në Çeçeni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore