Lajme

Gazetarja ruse Elena Milashina dhe një avokat sulmohen në Çeçeni


Një gazetare e njohur ruse dhe një avokat janë sulmuar dhe plagosur në Çeçeni.

Mësohet se një grup burrash me kapuç i detyruan të ndalonin makinën me të cilën po udhëtonin.

Elena Milashina, gazetare e Novaya Gazeta, ishte rrugës për në kryeqytetin Grozny nga aeroporti i vendosur në periferi veriore të qytetit.

Bashkë me të ishte edhe avokati Aleksandr Nemov. Të dy kishin planifikuar të merrnin pjesë në një seancë dëgjimore në një gjykatë në qytet gjatë ditës.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Memorial, një shoqatë ruse që fitoi çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar, burrat e paidentifikuar e goditën gruan në kokë, i thyen disa gishta dhe i hodhën bojë jeshile në fytyrë teksa Milashina humbi disa herë ndjenjat.

“Ata u rrahën brutalisht, u goditën në fytyrë, u kërcënuan me vdekje me armë të drejtuara në tëmthet e tyre. Pajisjet e tyre u shkatërruan”, sipas Memorial.

“Ndërsa po i rrihnin, u thanë: Ju paralajmëruan, ikni dhe mos shkruani asgjë”.

Fotot e bëra në spital e tregojnë gazetaren të ulur në një divan teksa në telefon, me të dyja duart në allçi, kokën e rruar nga sulmuesit, të mbuluar me bojë, trupin e saj të mavijosur dhe të plagosur.

Kurse Nemov, shkruan grupi, u godit me thikë në këmbë.

Vitin e kaluar, Milashina-s iu bë presion që të largohej nga Rusia pasi Ramzan Kadyrov e akuzoi atë në rrjetet sociale si terroriste.

Ajo ka vite që punon në Çeçeni dhe në atë kohë po punonte për një hetim mbi ndalimin dhe torturimin e burrave homoseksualë nga autoritetet lokale.

Që nga viti 2000, gjashtë gazetarë të medias janë vrarë.

Midis tyre ishte Anna Politkovskaya, e cila u vra në pragun e saj në Moskë në vitin 2006.

Novaya Gazeta, redaktori i së cilës Dmitry Muratov fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2021, iu desh të pezullonte botimin në Rusi në mars 2022 pasi një gjykatë anuloi lejen e botimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore