Lajme

Tonino Picula kryeson delegacionin e Parlamentit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Mal të Zi


Tonino Picula

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, do të udhëheqë delegacionin e këtij institucioni të Bashkimit Evropian, i cili do të monitorojë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi që do të mbahen më 19 mars, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/ODIHR), përfaqësuesen e përhershme të Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, Ioanna Popa, si dhe me ambasadorë.

“Zgjedhjet që do të mbahen pas më pak se dy javë në Malin e Zi sigurisht që do të shënohen nga polarizimi që paralizon jetën politike të vendit i cili ka avancuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE. Varet nga ne si mision për të monitoruar zbatimin dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve”, tha Picula.

Picula dhe anëtarët e delegacionit do të zhvillojnë një takim me përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare mbi temat e legjislacionit zgjedhor dhe monitorimit të procesit zgjedhor, me të cilët do të analizojnë fushatat elektorale të kandidatëve, si dhe pasqyrimin mediatik të zgjedhjeve.

Në Mal të Zi po zhvillohet fushata për zgjedhjet presidenciale. Janë shtatë kandidatë që u paraqitën për garën e 19 marsit. Konkretisht: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) – Milo Gjukanoviç, Fronti Demokratik (DF) – Andrija Mandiç, Evropa Tani (ES) – Jakov Milatoviç dhe Demokratët – Aleksa Beçiç.

Në garë janë edhe deputetët malazezë si Draginja Vuksanoviç nga Partia Socialdemokrate, Goran Daniloviç nga Mali i Zi i Bashkuar dhe kandidati i pavarur, Jovan Raduloviç.

Në mënyrë që një kandidat të fitojë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ai duhet të marr mbi 50 për qind të votave, kurse nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se gjysmën e votave, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas dy javësh.

Ethet e garës, liderët e partive më të forta malazeze kandidatë për president

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore