Lajme

Tokat e botës ndodhen ‘nën presion të madh’


Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara për ndotjen e tokës, tokat e botës, të cilat sigurojnë 95 për qind të ushqimit të njerëzimit, janë “nën presion të madh”.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, tregon se tokat janë edhe depoja më e madhe aktive e karbonit, pas oqeaneve, rrjedhimisht edhe arsye thelbësore në luftimin e krizës së klimës.

Në bazë të raportit, ndotja industriale, minierat, bujqësia dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve po helmojnë tokat, me parimin “ndotësi paguan” që ndiqet në shumë vende.

Te ndotësit përfshihen metale, cianide, DDT dhe pesticide të tjera dhe kimikate organike me qëndrueshmëri të gjatë si PCB-ja. Këto e bëjnë ushqimin dhe ujin të pasigurt, duke prerë produktivitetin e fushave dhe duke dëmtuar jetën e egër.

Mirëpo, raporti nxjerr se shumica e çlirimeve të ndotësve që përfundojnë në tokë nuk përcaktohet lehtë dhe për këtë arsye dëmi i vërtetë mbetet shumë i pasigurt.

Sipas tij, prodhimi global i kimikateve industriale është dyfishuar çdo vit që nga viti 2000 në 2.3 miliardë ton dhe parashikohet që thuajse të dyfishohet përsëri deri në 2030-ën. Kjo do të thotë se ndotja e tokës pritet të rritet më tej.

Në paralajmërimin e Kombeve të Bashkuara përfshihen edhe ndotës që shfaqen prej farmaceutikës, ndryshe antimikrobikë që çojnë në baktere rezistente ndaj ilaçeve dhe plastikë.

“Tokat globale janë nën presion të madh”, është shprehur Qu Dongyu, kreu i organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ushqimit për bujqësinë.

Ai ka vazhduar se “kjo kore e hollë e sipërfaqes së tokës, toka, mbështet të gjithë jetën tokësore dhe është e përfshirë në shumë shërbime kryesore të ekosistemit që janë thelbësore për mjedisin, shëndetin dhe mirëqenien e njeriut”.

Kurse Inger Andersen, shefja e programit të Kombeve të Bashkuara për mjedisin (Unep) ka thënë se ndotja e tokës mund të jetë e padukshme për sytë e njeriut, por rrezikon ushqimin që hamë, ujin që pimë dhe ajrin që thithim. Sipas tij, ndotja nuk njeh kufij pasi ndotësit lëvizin nëpër tokë, ajër dhe ujë.

“Është koha të rilidhemi me tokat tona, pasi aty fillon ushqimi ynë. Ndotja e tokës nuk duhet të jetë më një realitet i fshehur. Le të jemi të gjithë pjesë e zgjidhjes së ndotjes së tokës”, ka thënë ajo.

Sipas shkencëtarëve të një tjetër raporti mbi biodiversitetin, e ardhmja për tokat duket e “zymtë” dhe gjendja e tyre është po aq e rëndësishme sa emergjenca e klimës dhe shkatërrimi i botës natyrore mbi tokë.

Dhe se që nga koha e Revolucionit Industrial, rreth 135 miliardë tokë janë humbur nga toka bujqësore dhe duke qenë se duhen mijëra vjet që të formohen tokat, nevojitet mbrojtja urgjente dhe restaurimi i tokave që mbeten.

Ndërkohë, në raportin e ri thuhet se “ndotësit e tokës mund të kenë pasoja të pariparueshme në shëndetin e njeriut dhe ekosistemit”. Ai ka zbuluar se burimi më i madh i ndotjes së tokës ndryshon nga rajoni.

Konsiderohet se problemi më i madh është ai i ndotjes industriale në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, bujqësisë në Azi, Amerikën Latine dhe Evropën Lindore dhe minierat në Afrikën nën-Sahariane. Ndërsa në Afrikën e veriut dhe në lindjen e afërt, burimi më i madh i ndotjes është ndotja urbane.

“Hapi themelor i identifikimit të palës përgjegjëse për ndotjen ende mungon në shumë shtete”, thuhet në raport. Shtohet se “ndotja e tokës pritet të rritet nëse nuk ka një ndryshim të shpejtë në prodhimin dhe modelin e konsumit dhe një angazhim politik drejt një menaxhimi vërtetë të qëndrueshëm, ku natyra respektohet plotësisht”.

Gjithashtu thuhet se “angazhimi më i madh politik, ndër biznese dhe shoqëror është i nevojshëm për të kërkuar alternativa për përdorimin e ndotësve shumë toksikë dhe për të rritur investimet në kërkime, parandalim dhe rehabilitim”.

Raporti thekson se pastrimet pasi të ndodhë ndotja mund të kushtojnë qindra miliona dollarë. Dhe se tokat e botës po dëmtohen gjithashtu nga faktorë të tjerë duke përfshirë erozionin, acidifikimin, ndotjen e kripës dhe ngjeshjen.

Më parë, një raport i vitit 2017 zbuloi se një e treta e tokës së planetit ka degraduar rëndë dhe se toka pjellore po humbet me normën 24 miliardë tonë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore