Kosova

Toby Vogel: Kokëfortësia e Kurtit është simptomë e një dialogu të dështuar


Toby Vogel

Pas 8 orë bisedime në Bruksel Kosova dhe Serbia, të hënën, nuk arritën të dakordohen për çështjen e targave, megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi ta shtyjë për 48 orë fazën e dytë të vendimit për targa, pra gjobitjen e pronarëve të automjeteve të cilët qarkullojnë me targa ilegale në rrugët e Kosovës.

Megjithatë për ekspertin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, Toby Vogel, çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të mbetet e ngujuar në procese teknike.

“Bashkimi Evropian duhet ta pyesë veten se çfarë mund të bëjë për të çuar negociatat në fazën ku diskutohen çështjet më të vështira- sovraniteti dhe njohja”, ka thënë Vogel në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Josep Borell, shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka dhënë një nga deklaratat më negative për Kosovën pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai fajësoi Kosovën për mos arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e targave.

Por, për Vogel, Borrell duke fajësuar palën kosovare në këtë rast, ka vështirësuar dukshëm punën e tij si ndërmjetësues në procesin e dialogut.

Sipas bindjes së tij, kokëfortësia e Kurtit është simptomë e një procesi të dështuar.

“Dhe kjo është diçka për të cilën Bashkimi Evropian duhet të mendojë – në vend që të fajësojë vetëm njërën palë. Mendoj se ky është një moment i rrezikshëm kur dhuna mund të jetë e dobishme si për Vuçiçin ashtu edhe për Kurtin ”, shton Vogel për Zërin e Amerikës.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Kurti shtyn vendimin për targat, pranon kërkesën e Amerikës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore