Sport

Tifozët mund të mbijetojnë pa birrë, thotë shefi i FIFA-s


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi të shtunën se tifozët e Kupës së Botës mund të mbijetojnë për tre orë në ditë pa birrë pasi shitjet u ndaluan nëpër stadiume.

“Unë mendoj se personalisht nëse për tre orë në ditë nuk mund të pini një birrë, do të mbijetoni”, tha ai në konferencën e tij të hapjes për shtyp në Doha. “E njëjta gjë vlen edhe në Francë, Spanjë, Skoci”.

Asnjë birrë apo pije tjetër alkoolike nuk do të shërbehet brenda stadiumeve të Kupës së Botës në Katar.

Shumë media raportuan mëngjesin e të premtes se familja mbretërore e Katarit i kishte bërë presion FIFA-s që të ndalonte shitjen e alkoolit në stadiume.

“New York Times” tha se ndërhyrja ishte bërë nga Sheikh Jassim bin Hamad bin Khalifa al-Thani, vëllai i sundimtarit të Katarit.

Katari e ka të kufizuar shitjen e alkoolit për të huajt. Ata mund ta konsumojnë atë vetëm në hotele apo vende të licensuara.

Kjo do të thotë që “Budweiser”, një nga sponsorët më të mëdhenj të turneut, nuk do të jetë në gjendje t’ua shesë birrën tifozëve në ndeshje dhe mund ta bëjë FIFA-n të shkelë një kontratë shumë milionëshe me kompaninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore