Lajme

Thyhet burgu në Nigeri: Më shumë se 400 të burgosur të arratisur


Më shumë se 400 të burgosur janë akoma të zhdukur pas një bastisjeje në një burg në kryeqytetin e Nigerisë, Abu, thonë zyrtarët.

Katër të burgosur, një roje sigurie dhe disa sulmues u vranë pasi burgu u vu në shënjestër të martën mbrëma, sipas zyrtarëve.

Grupi militant islamik Boko Haram dyshohet se ka kryer sulmin dhe dhjetëra anëtarë të tij janë në arrati, njoftoi ministri i mbrojtjes.

Mbi 5 mijë të burgosur janë arratisur nga burgjet e Nigerisë që nga viti 2020.

Shpërthime të forta dhe të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë burgut të sigurisë së mesme të Kujës, pak jashtë kryeqytetit, mbrëmjen e së martës kur ndodhi sulmi.

Përveç katër të burgosurve të vrarë, 16 të tjerë u plagosën gjatë sulmit, tha shërbimi korrektues i Nigerisë.

Militantë të grupit islamik Boko Haram

Një numër i të burgosurve të profilit të lartë, duke përfshirë militantë të dyshuar dhe politikanë të burgosur, ishin në objekt në kohën e sulmit. Por shërbimi korrektues tha se zyrtarët e lartë të burgosur nuk ishin në mesin e atyre që ishin arratisur.

Sipas zyrtarëve, rreth 1 mijë të burgosur ishin në objekt kur ndodhi sulmi. Pothuajse të gjithë ata fillimisht u arratisën, por 443 janë rikapur që atëherë.

Ministri i Mbrojtjes Bashir Magashi u tha gazetarëve se “me shumë gjasë” militantët e Boko Haram kishin kryer sulmin dhe se 64 xhihadistë të burgosur ishin arratisur nga burgu.

“Asnjë prej tyre nuk është brenda burgut, të gjithë janë arratisur”, tha ai.

Ky sulm i fundit në kryeqytet është përshkruar nga shumë njerëz në Nigeri si një tjetër tregues i përkeqësimit të pasigurisë së vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore