Lajme

Thaçi e të tjerët e dërgojnë në Apel kërkesën për lirim nga paraburgimi


Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar tre gjyqtarë të Apelit, të cilët do të merren me shqyrtimin e kërkesës së avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.

Gjyqtarët që janë caktuar për ta trajtuar këtë rast janë Judge Michele Picard, Judge Kai Ambos dhe Judge Nina Jorgensen.

Ky vendim është publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në fund të muajit të kaluar Gjykata Speciale nuk e kishte pranuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-komandantëve të UÇK-së.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, kishte vendosur që veç e veç, të gjithë të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht.

Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, janë renditur argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ata nuk duhet të lirohen as përkohësisht.

Smith-i në të gjitha parashtresat ka pretenduar se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim.

Organi i akuzës në Hagë ka pretenduar se kriteret për t’i mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”.

Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.

Vitin e kaluar Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët i akuzon për krime lufte.

Më 11 shkurt do të zhvillohet konferenca e radhës në lidhje me ecurinë e çështjes për krerët UCK-së që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore