Kosova

Tetë familje nga Turqia me mbrojtje shtetërore në Kosovë


Flamuri i Turqisë

Tetë familjeve me katërmbëdhjetë anëtarë të tyre, që kanë arritur nga Turqia në Kosovë, iu është njohur këtë vit e drejta e statusit të refugjatit.

Sipas disa të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ata janë në mesin e mbi 130 personave nga Turqia, të cilëve iu është dhënë statusi i refugjatit që nga viti 2018.

Sipas avokatëve, të gjithë ata kanë qenë të lidhur me Lëvizjen “Hizmet” të klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilën Ankaraja zyrtare e ka shpallur terroriste dhe e ka akuzuar për orkestrimin e një përpjekjeje për puç në Turqi, në vitin 2016.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me njërin nga personat që kanë fituar statusin e refugjatit në Kosovë dhe ai ka konfirmuar se është i ndjekur politikisht në shtetin e tij.

Ai nuk ka dashur të flasë më shumë për këtë çështje dhe nuk ka pranuar të identifikohet, duke thënë se në Kosovë “nuk ndihet i sigurt”.

Në mars të vitit 2018, Kosova ka arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët kanë punuar në shkollën private “Mehmet Akif”, në Prishtinë.

Nxënëset e kolegjit Mehmet Akif në Kosovë duke protestuar për dëbimin e mësuesve të tyre nga Kosova

Ankaraja ka thënë se ata janë të dyshuar për lidhje me lëvizjen “Hizmet” të Gulenit, të cilës Turqia i referohet me akronimin FETO.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i ka paraprirë revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit në Kosovë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Gjashtë shtetasit turq të dëbuar nga Kosova

MPB: Aplikacione shtesë janë në shqyrtim

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shtetasit e huaj e fitojnë të drejtën e statusit të refugjatit në Kosovë në bazë të Ligjit për Azil, si dhe të konventave ndërkombëtare.

“Shumica prej tyre [shtetasve turq] janë të punësuar në institucione. Po ashtu, posedojnë biznese private”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, pa u specifikuar se në cilat institucione janë duke punuar.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, Kosova ka pranuar 28 aplikacione për statusin e refugjatit nga shtetas turq, në vitin 2019 – 27 dhe në vitin 2018 – 76.

Sipas informacioneve të REL, disa prej këtyre personave janë deklaruar si përkrahës të lëvizjes së Fethullah Gulenit, i cili tash e sa vite jeton në mërgim në SHBA.

“Para policisë së migrimit, ata e kanë thënë se janë gylenistë”, ka thënë një zyrtar nga MPB-ja, duke iu referuar mbështetësve të lëvizjes “Hizmet”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore