Shqipëria

Testi antidrogë në Policinë e Shtetit, 45 efektivë rezultojnë pozitivë


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vijuar me ekzaminimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët gjatë karrierës dyshohen për përdorimin e lëndëve narkotike.

Lëvizja ka ardhur në kuadër të masave parandaluese për përdorimin e lëndëve narkotike nga punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe me qëllim rritjen e standardeve dhe integritetit personal të tyre.

Deri tani janë ekzaminuar 1 mijë e 736 punonjës policie, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk, nga të cilët 45 kanë rezultuar të dyshuar pozitivë.

Për këtë kategori po kryhen hetime administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Sakaq, nga policia është përjashtuar një punonjës policie, duke analizuar edhe rrethanat e tjera që vërtetojnë shkeljen e rëndë disiplinore.

Për kategorinë e të dyshuarve pozitivë, në vijim të hetimit administrativ mësohet se do të zhvillohet një test i dytë, për t’u siguruar nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin, në veçanti krimin e organizuar, duke krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët, si dhe për të larguar nga radhët e saj çdo punonjës policie që abuzon me detyrën dhe me ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore