Lajme

Tërnava, shefit të EULEX-it: Bllokimi i rrugëve në Graçanicë, s’është në rregull


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e Festës së Kurban Bajramit në Bashkësinë Islame është takuar me shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano të cilit i ka thënë se bllokimi i rrugëve në Graçanicë s’është në rregull.

Ai tutje ka uruar që situata në Veri të Kosovës të kthehet në normalitet.

“Dëshiroj të uroj shumë edhe për kthimin e situatës në veri të vendit të kthehet në normalitet. Në Kosovë s’mund të ketë dy ligje, dy kushtetuta. Duke pasur parasysh edhe specifikat që mund t’i kenë komunitetet, shembull sot është ditë Bajrami, ndërsa rrugët në Graçanicë janë të bllokuara. Nuk është në rregull”, tha Tërnava.

Lidhur me këtë, Barbano u shpreh se EULEX-i do të luajë rolin e tij për të ofruar drejtësi dhe do të sigurojë që do të ketë trajtim të barabartë për të gjithë.

“Lidhur me deklaratën tuaj që keni bërë herët në mëngjes e vlerësoj shumë thirrjen tuaj për dialog si mjet për zgjidhjen e problemeve, duke respektuar të drejtat e minoriteteve, grupeve dhe të gjitha kulturave”.

Foto nga vendi i ngjarjes.

“EULEX-i do të luajë rolin e tij për të ofruar drejtësi, duke marrë një qëndrim më të sigurt dhe më proaktiv në mënyrë që të drejtat e qytetarëve të Kosovës të sigurohen në çdo aspekt të drejtësisë”, tha Barbano.

Të mërkurën qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen te manastiri i Graçanicës për të festuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Vidovdani i cili zakonisht festohet në Gazimestan – dhjetë kilometra larg Prishtinës – këtë vit po mbahen në Graçanicë kjo pas vendimit të peshkopit, Teodosije Shibaliç.

Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur për ndryshim lokacioni me arsyetimin e “situatës aktuale të sigurisë”.

Përveç një numri të konsiderueshëm të serbëve të cilët kanë filluar grumbullimin që nga ora 7:00 e mëngjesit të pranishëm në manastirin e Graçanicës janë edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës.

Një ditë më parë Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë për festën e Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ndërsa ka publikuar një varg masash që këto festa të shënohen pa incidente.

Policia ka njoftuar se një nga masat është edhe mbyllja e hyrje daljeve në qytetin e Graçanicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore