Lajme

Tërmeti në Marok: Rëndohet bilanci tragjik, 2 mijë e 681 viktima


Numri i të vdekurve nga një tërmet i fuqishëm që goditi rajonin e maleve Atlas të Marok-ut vonë të premten është rritur në 2 mijë e 681 dhe më shumë se 2 mijë e 500 të lënduar.

Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi rreth orës 23:11 (22:11 GMT) në një thellësi prej afro 26 kilometra, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-ve. Thellësia fillimisht u raportua rreth 18 kilometra.

Autoritetet kanë shpallur tre ditë zie kombëtare, me shumë të mbetur të pastrehë pas tërmetit më vdekjeprurës të vendit në më shumë se 60 vjet.

Epiqendra e tërmetit ishte e vendosur në provincën Al Haouz në Atlasin e Lartë të maleve – një zonë që zakonisht nuk shoqërohet me tërmete – rreth 75 kilometra nga Marrakech-i, qyteti i katërt më i madh i Marok-ut.

Qyteti i vjetër i Marrakech-it, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, raportohet se është prekur keq, me pamjet e ndërtesave të shembura.

Al Haouz ishte provinca më e goditur, pasi provincat Ouarzazate, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant gjithashtu u prekën rëndë.

Fshatrat e largëta janë goditur keq nga tërmeti dhe ekipet e shpëtimit po përballen me sfida për t’i arritur ato.

Tërmeti me magnitudë 6.8 është klasifikuar si “i fortë” sipas shkallës Rihter, që mat fuqinë e tërmeteve.

Madhësitë bazohen në një shkallë logaritmike, që do të thotë për çdo rritje të numrit të plotë në shkallë, forca rritet 10-fish.

Pra, ishte një tërmet 10 herë më i fortë se tërmeti i fundit më i fortë me magnitudë 5.8 i vitit 1960.

Për ta vënë këtë në kontekst, tërmetet që regjistrojnë një magnitudë 4 ose më pak konsiderohen të jenë të lehta, por mund të shkaktojnë ende disa dëme.

Një tërmet me magnitudë 5 është, sipas definicionit, 10 herë më intensiv se një tërmet 4 ballë dhe mund të shkaktojë dëme të moderuara në ndërtesa.

Tërmetet me magnitudë 6 zakonisht konsiderohen të forta dhe janë 100 herë më intensive se një tërmet me magnitudë 4.

Tërmetet me magnitudë 7 konsiderohen të rënda, me potencial për të shkaktuar humbje të konsiderueshme jetësh dhe dëmtime në hapësirat e ndërtuara.

Tërmetet që regjistrojnë një magnitudë 8, 9 ose më të lartë mund të rezultojnë në humbje shumë më të madhe të jetëve dhe shkatërrim pothuajse total të zonës së prekur.

Madhësia, thellësia, afërsia me zonat e banuara, kushtet e tokës dhe mundësitë për të shkaktuar fatkeqësi dytësore si tsunami dhe rrëshqitjet e dheut janë vetëm disa nga shumë faktorë që përcaktojnë se sa shkatërrues mund të jetë një tërmet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore