Lajme

Tensionohen marrëdhëniet, Afganistani tërheq ambasadorin nga Pakistani


Qeveria në Afganistan, të dielën e 18 korrikut vendosi të tërheqë ambasadorin dhe grupin diplomatik nga kryeqyteti i Pakistanit – pas rrëmbimit të vajzës së ambasadorit Najib Alikhil.

Ky vendim do të pasojë një goditje të re në marrëdhëniet Pakistan-Afganistan.

E bija e ambasadorit të Afganistanit në Pakistan Silsila Alikhil u rrëmbye të premten dhe u mbajt për disa orë nga sulmuesit.

Sulmuesit të cilët nuk janë identifikuar ende, hipën në një makinë me të cilën ajo po udhëtonte dhe e rrahën atë.

Alikhil, e cila është në të 20-at e saj, u kap gjatë rrugës për në shtëpi në kryeqytetin pakistanez Islamabad të premten.

Ndërkohë autoritetet në Pakistan deklaruan se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ministria e Jashtme e Afganistanit më herët deklaroi se ajo ishte “torturuar rëndë” dhe do të paraqiste një ankesë.

“Qeveria afgane bën me dije ambasadorin dhe diplomatë të lartë në Kabul se deri në arrestimin dhe dënimin e autorëve, eliminimi i plotë i kërcënimeve të sigurisë do të jetë i vështirë”, prandaj, “ne tërheqim Ambasadorin nga Islamabad”.

Ministria e Jashtme e Pakistanit shprehu keqardhjen për këtë vendim, duke shpresuar se qeveria afgane do ta rishikonte.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka deklaruar se ai ka urdhëruar organet kompetente që fajtorët të kapen brenda 48 orëve.

Pakistani konsiderohet si shteti kyç në procesin e paqes në Afganistan, ku kryengritësit talebanë kanë bërë përparime në të gjithë vendin, duke kapur një seri pikash kufitare nga forcat afgane.

Talebanët kanë lëvizur me shpejtësi ndërsa SHBA-të tërhoqën forcat ushtarake nga vendi përpara mbarimit të afatit më 11 shtator. E gjitha ndodhi me urdhër të presidentit amerikan Joe Biden.

Vendet e tjera aleate, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë tërhequr pothuajse të gjitha forcat ushtarake përpara afatit.

Dy vendet fqinje prej javësh kanë pasur një marrëdhënie të ftohtë. Kabul akuzon Pakistanin se ka shërbyer si një vend strehë për talebanët. Ndërsa Islamabad akuzon Afganistanin se ka lejuar militantët të përdorin territorin e tyre për të kryer sulme në Pakistan.

Pakistani ka qenë i njohur për ndërmjetësimin dhe fillimin e bisedimeve për paqe me talebanët. Ndërmjetësimi filloi në Katar, vitin e kaluar, por negociatat dështuan dhe talebanët e kanë rritur më shumë agresivitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore