Lajme

Tensioni Rusi-Ukrainë: Rebelët pro-rus granatojnë kopshtin në fshatin ukrainas, tre të plagosur


Separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore kanë bombarduar një kopsht në një fshat, sipas ushtrisë së shtetit lindor.

Autoritetet ushtarake sqaruan se nuk ka të lënduar pas goditjes së ndërtesës në rajonin e Luhansk-ut.

Republika Popullore e Luhansk-ut (LPR) akuzoi forcat ukrainase për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit.

Kjo, pasi hapi zjarr katër herë në 24 orët e fundit – një pohim që Kiev-i zyrtar e hodhi poshtë.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia kishte qëlluar mbi pozicionet e tyre duke përdorur armë të ndaluara – duke shtuar se Ukraina nuk u kundërpërgjigj.

“Pavarësisht faktit se pozicionet tona u qëlluan me armë të ndaluara, duke përfshirë artileri 122 milimetra, trupat ukrainase nuk hapën zjarr si kundërpërgjigje”, tha një zyrtar i shtypit të forcave të përbashkëta ukrainase.

Kreu i fshatit Albert Zinchenko tha për BBC News Ukraine se tre persona u plagosën.

“Një roje sigurie, një punonjëse lavanderie dhe një ndihmës mësuese e çerdhes. Ata janë në spital duke vuajtur nga goditja e predhave dhe stresi”, tha Zinchenko.

Kryebashkiaku shtoi se disa fëmijë ndodheshin në ndërtesë në momentin e granatimeve, por shpëtuan të padëmtuar.

Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka publikuar një foto në median sociale “Instagram” duke deklaruar se po niset drejt Operacionit të Forcave të Përbashkëta.

Nuk ka shenja që numri i ushtarëve rusë të jetë ulur në zonat afër Ukrainës, tha më herët Zelensky në një video-mesazh.

Presidenti ukrainas vërejti se autoritetet nuk po shohin ndonjë ndryshim.

“Ne po shohim rrotullime të vogla. Këto rotacione nuk do t’i quaja tërheqje të forcave nga Rusia. Nuk mund ta themi këtë”, vijoi Zelensky.

Raportimet për të shtënat në rajonin e diskutueshëm janë bërë të zakonshme vitet e fundit.

Por raportimet e bombardimeve të së enjtes vijnë në një kohë të tensionuar mes palëve.

Më shumë se 150 mijë trupa ruse janë pozicionuar në kufijtë që vendi ndan me Ukrainën.

Kjo, pasi presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi NATO-s që të mos lejojë kurrë që Ukraina të bëhet anëtare.

Raportimet për gjuajtjen e supozuar të mortajave vijnë vetëm disa orë pasi autoritetet amerikane thanë se Rusia po zhvillon narrativa të rreme.

Sipas Shteteve të Bashkuara, autoritetet ruse do t’i përdorin si “pretekst” për veprime ushtarake kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore