Lajme

Tensione në Bosnje – Manovra e Dodik-ut kundër ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor, reagon BE-ja dhe SHBA-të


Milorad Dodik

Kuvendi i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë e njohur ndryshe si Republika Srpska në krye të së cilës është Milorad Dodik, të premten e 29 marsit, pak orë pas mesnate, ka miratuar Projektligjin Zgjedhor të Republikës Srpska si kundërpërgjigje ndaj ndryshimeve teknike në Ligjin Zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë, pas iniciativës së përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në BeH, Christian Schmidt.

Që nga viti 1995 entitetet në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë juridiksion dhe as nuk mund të zhvillojnë zgjedhje në Republikat e tyre përkatëse. Kushtetua e Bosnje e Hercegovinës nuk lejon një gjë të tillë. Zhvillimi i zgjedhjeve i takon vetëm nivelit qendror.

Por, kundër një rregulli të tillë së fundmi doli presidenti pro-rus i entitetit serb, Milorad Dodik, duke shtyrë përpara Projektligjin Zgjedhor të Republikës Srpska me arsyetimin se dëshiron që “zgjedhjet e ardhshme lokale në territorin e Republikës Srpska të zhvillohen sipas Ligjit Zgjedhor të entitetit” e jo atij qendror, i cili së fundmi pësoi disa ndryshime substanciale.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Herzegovinë, Christian Schmidt vendosi të martën, më 26 mars, ndryshime teknike në ligjin zgjedhor që parashikojnë forcimin e integritetit zgjedhor.

Ndryshimet që Schmidt imponoi parashohin të zvogëlojnë mundësinë e manipulimeve zgjedhore.

Ndryshimet gjithashtu parashikojnë identifikimin biometrik të votuesve, që do të thotë se qytetarët përveç kartës së identitetit do të identifikohen në qendrat e votimit edhe në bazë të parametrave biometrikë.

Këto ndryshime u refuzuan nga Dodik, i cili tha se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në BeH mund të mbijetojë, me kusht që Schmidt të tërheq vendimin”.

Ndaj këtij fërkimi politik reagoi edhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Delegacioni BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë akuzoi Republikën Srpska për minimin e rendit kushtetues të BeH.

Miratimin e Projektligjit Zgjedhor nga ana e Republikës Srpska, BE-ja e konsideroi si tentim për të “rritur tensionet”.

Një zgjedhje e tillë, paralajmëruan ata, “jo vetëm që dëmton interesat e qytetarëve, por gjithashtu është një pengesë në rrugën e BiH drejt BE-së”.

Në anën tjetër SHBA miratimin e Projektligjit Zgjedhor nga ana e Republikës Srpska e ka cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes një reagimi në platformën sociale, X, tha se SHBA-të “mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe do të vazhdojnë të përdorin mjetet në dispozicion në përgjigje të veprimeve anti-Dayton”.

Ndryshe në samitin në Bruksel më 21 mars, Këshilli Evropian miratoi hapjen e negociatave të pranimit të Bosnjen në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore