Lajme

“Tension për Asociacion”, PSD-ja me aksion para Qeverisë për situatën në Veri


Aksioni i PSD-së para Qeverisë së Kosovës.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate, të mërkurën kanë zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke vendosur mbishkrime “Tension për Asociacion” e “Tension për Koncesion”, në objektin e ekzekutivit.

Nga PSD-ja është thënë se tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut nga kjo Qeveri.

“Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Aksioni i PSD-së para Qeverisë së Kosovës.

Kjo parti konsideron se trajtimi i veriut me hekur e kërbaç është, sipas tyre, argument për formimin e Asociacionit.

“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare më Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”.

Situata në Veri

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë – Jarinjë.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë në Veri, edhe shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Pavarësisht, shtyrjes së zgjedhjeve në Veri të Kosovës, Serbia nuk ka ndalur sulmet në këtë pjesë.

Pjesëtarët e grupeve kriminale, mbështjellur fytyrat me maska, janë shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore dhe gjithashtu numri i policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm për t’iu përgjigjur kundërshtimit.

Vakumi i sigurisë në Veri u krijua për një çështje e cila tashmë ka përfunduar, por i kanë mbetur si zgjatime pasojat.

Kosova deshi të aplikojë vendimin e marrë nga Qeveria për konfiskimin e veturave me targa ilegale. U kundërshtua nga Serbia dhe serbët lokalë dhe u këshillua nga ndërkombëtarët të mos e bëjë. Qeveria më pas vendoi të sekuencojë vendimin dhe të vazhdojë me qortime e gjobitje për ato vetura që identifikohen me targa “KM…” të Serbisë. Serbët e Kosovës në revoltë lëshuan institucionet, pasi fillimisht pjesëtarët serbë të policisë refuzuan ta zbatojnë vendimin.

Policia e Kosovës, foto nga arkivi.

Meqë i dogjën mandatet në nivel politik, obligimi kushtetues thërriste për organizimin e zgjedhjeve. Duke përjashtuar vërejtjet për situatën e brishtë të sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, e përkrahur nga Qeveria, shpalli datat 18 e 25 dhjetor si ditë zgjedhjesh të pjesshme për Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Edhe këtë vendim e shtyu qeveria e Kosovës, por nuk u shty dot kriza në veri, veçse u përshkallëzua.

Aktualisht, të gjitha sulmet po bëhen për shkak të Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i arrestuar të shtunën në pikën kufitare në Jarinjë, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë në Veri bllokuan rrugët me barrikada në arteriet kryesore që çojnë në Jarinjë. Ata nuk donin që ai të transferohet në Prishtinë.

Policët u detyruan që ta mbajnë në pikën kufitar të arrestuar. Për shkak të tij, mbetën edhe vetë të bllokuar.

Ndërkaq, ndërkombëtarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve mes dy palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore