Lajme

Të shtënat në parkun e Los Angeles-it lënë dy të vdekur


Në një park në Los Angeles-it, të paktën dy persona janë lënë të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur.

Referuar autoriteteve vendase, shtatë persona janë dërguar në spitalet lokale pasi të shtënat me armë shpërthyen në një shfaqje joformale të makinave në Peck Park në lagjen San Pedro.

Ngjarja ka ndodhur të dielën e 24 korrikut.

Dy prej viktimave, një burrë dhe një grua, kanë ndërruar jetë më vonë nga plagët e marra.

Viktimat e të shtënave, katër burra dhe tre gra, varionin nga mosha 23 deri në 54 vjeç.

Shfaqja e makinave ishte një mbledhje joformale, më shumë se një ngjarje e planifikuar zyrtarisht.

Si pjesë e kulturës së makinave të Kalifornisë Jugore, pronarët e makinave klasike mblidhen shpesh në vende publike për të treguar automjetet e tyre.

Departamenti i policisë së atjeshme ka treguar se të shtënat filluan rreth orës 15:50 dhe se incidenti nuk ishte një situatë aktive e të shtënave.

Policia ende nuk ka raportuar nëse ka identifikuar ndonjë të dyshuar.

Peck Park ndodhet rreth 32 kilometra në jug të qendrës së Los Angeles-it, Kaliforni.

Të shtënat janë më të fundit që kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë, pas të shtënave masive në Highland Park, Illinois, Uvalde, Texas dhe Buffalo, New York.

Vala e incidenteve ka risjellë një debat të ashpër mbi arsyen pse ngjarje të tilla me viktima të shumta vazhdojnë të ndodhin në SHBA dhe nevojën për legjislacion të ri për aksesin e armëve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore