Përballje

Të premten grumbullohet Kombëtarja e Kosovës


Kombëtarja e Kosovës në futboll do të grumbullohet të premten, për tu përgatitur për ndeshjet miqësore kundër San Marinos dhe Maltës.

Ekipi do të zhvillojë stërvitjet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.

Dardanët në fillim do të zhvillojnë një miqësore kundër San Marinos më 1 qershor, në Prishtinë, pastaj do të udhëtojnë në Austri ku do të përballen me Maltën më 4 qershor.

Në listën e publikuar nga trajneri Challandes, u panë disa emra të rijnë në ekip, andaj këto ndeshje do të shërbejnë për zviceranin që të provojë lojtarët e ri te Kosova.

Ndër të përzgjedhurit, munguan edhe disa nga emrat kryesorë të dardanëve si Edon Zhegrova, Bernard Berisha e Benjamin Kololli.

Ndërsa vlen të ceket se Kosova këto ndeshje do t’i zhvillojë për herë të parë pa futbollistët tashmë të pensionuar, Atdhe Nuhiu e Anel Rashkaj.

Pas këtyre dy ndeshjeve, dardanët do të udhëtojnë në Antalia për të zhvilluar edhe dy miqësore të tjera.

Më 8 qershor do të luajnë kundër Guineas dhe pas tre ditësh do të përballen me Gambinë.

Verdhekaltërit në miqësoret e Antalias, do të përbëhet kryesisht nga futbollistë të Superligës së Kosovës, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore